Në Shqipëri, e gjitha po duket se është një farsë

02 korrik 2026 | 19:20

Shkruan: Altin Ahmeti 

Kur nuk funksionon inovacioni, atëherë mbetet nostalgjia. Kur nuk ke ide të reja, hap librin e Vetëvendosja, botimi i vitit 2015.

Kjo po ndodh me një grup protestuesish në Shqipëri, të cilët, kur panë se “Flamingot” nuk po funksiononin, iu kthyen modelit tjetër për ta larguar Edi Ramën nga pushteti.

Ata u zhvendosën te Parlamenti, duke gjuajtur vezë mbi politikanët dhe duke u shtyrë me policët, me “shpresën” se do të dërgohen në mbajtje, do të arrestohen për pak orē dhe do të dalin heronj nga burgu.

Duan ta kopjojnë recetën e Vetëvendosjes në mënyrë identike, duke ngatërruar kalendarin, pasi jemi 11 apo më shumë vjetmë vonë.

Grupi i protestave kishin harruar se veprimtarët e Vetëvendosjes, në vitet për të cilat po flasim, nuk futeshin në burg për të dalë heronj nga aty. Ata i kryenin ato veprime sepse me të vërtetë e ndienin se duhej bërë ashtu.

Duke i bërë replay një filmi që publiku e ka parë tashmë, grupi megjithatë po harron gjënë kryesore: nuk mund t’i bëjnë replay filmit, sepse nuk e kanë figurën kryesore. Albin Kurtin.

Nuk mjafton përsëritja e mënyrave identike të protestimit, siç janë gjuajtja me vezë, bllokimi i punës së Parlamentit apo ndërhyrjet në universitet. Duhet edhe promotori i lëvizjes, të cilin siç e thamë nuk e kanë.

Asnjëri prej kundërshtarëve që po bëjnë opozitë nuk i afrohet Albin Kurtit.

Dritan Goxhaj, me bishtin e mbledhur të flokëve të tij, nuk duket të jetë një figurë frymëzuese që njerëzit ta ndjekin pas.

Mbështetja e tij e fuqishme për Hamasin, Iranin dhe Rusinë kundër Ukrainës flet më shumë për një antiamerikan të doktrinës sesa për një revolucionar të vërtetë. I mbshështet edhe diktatorët kundër lirisë së popujve duke e bërë shumë pak ta ndejekur.

Në histori dhe politikë ekziston një ide e njohur se ngjarjet rrallë përsëriten në të njëjtën mënyrë, sepse ndryshojnë rrethanat, aktorët, ekonomia, teknologjia dhe pritshmëritë e shoqërisë.

Karl Marx, filozof, mendimi i të cilit vazhdon ende ta tronditë botën edhe pas gati 200 vjetësh, shkroi: “Historia përsëritet gjithnjë. Herën e parë si tragjedi, herën e dytë si farsë.”

Në Shqipëri, e gjitha po duket se është një farsë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nëntë persona janë arrestuar në kuadër të një operacioni të…