Edhe Italia në protesta masive, përplasje me policinë në disa qytete, 371 persona të arrestuar

24 tetor 2026 | 23:26

Italia përjetoi këtë të shtunë një tjetër ditë protestash kundër rritjes së kostos së jetesës, politikave të qeverisë Meloni dhe shpenzimeve për armatimin.

Protestat në disa qytete të Italisë janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit. Roma, Torino, Milano, Firence dhe Bolonja janë ndër qytetet ku janë regjistruar incidente, ndërsa autoritetet kanë marrë masa të shtuara sigurie.

Në Romë, policia ka ndërhyrë ndaj protestuesve duke përdorur mjete ujëhedhëse me presion. Ndërkohë, në Torino, demonstruesit kanë hedhur fishekzjarrë dhe shishe në drejtim të forcave të rendit, të cilat janë përgjigjur me përdorimin e gazit lotsjellës.

Tensione janë raportuar edhe në Firence, ku protestuesit kanë marshuar drejt zonave tregtare luksoze, si dhe në Bolonja, ku hedhja e shisheve është pasuar nga ndërhyrja e policisë.

Në Milano, mijëra studentë kanë dalë në rrugë, ku gjithashtu janë regjistruar përplasje me efektivët.

Ndërkohë, në Romë, 43 të rinj janë shoqëruar në komisariat pasi, sipas autoriteteve, u janë gjetur kapuçë, doreza, dhe maska. Disa protestues kanë hyrë edhe në ambientet e Koloseut.

371 ishin personat e arrestuar, ku 110 ishin minorenë.

Ndërkohë, Youssef Siher, 30-vjeçari i lidhur me faqen e “Lëvizjes 17 Tetori”, është nën hetim për nxitje të rënduar të kryerjes së veprave penale.

Protestat dhe përplasjet u shtrinë edhe në Belgjikë. Në Bruksel, policia përdori gaz lotsjellës dhe spraj irritues kundër demonstruesve që kërkonin përmirësimin e kushteve në arsim dhe kundërshtonin politikat e qeverisë. Pamjet treguan protestues që vraponin në rrugë, ndërsa forcat e rendit ndërhynin për të shpërndarë turmat.

Mijëra protestues dolën sërish në rrugët e Lisbonës, kundër thellimit të krizës së strehimit në Portugali.

Demonstruesit marshuan nën një banderolë ku shkruhej “Greva e përgjithshme për strehimin”, ndërsa tundnin çelësat në ajër. Portugalia po përballet me një nga krizat më të rënda të strehimit në Europë.

Protestuesit në të gjitha vendet bashkohen në kërkesat për kushte më të mira ekonomike, shërbime publike dhe ndryshime politike.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Mbi 400 mijë persona kanë protestuar këtë të shtunë në…