Drejtori i QKB-së firmosi aktin antiligjor kundër biznesmenit Pacolli, paditet në SPAK

24 tetor 2026 | 23:11

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër për një çështje që lidhet me pronësinë e shoqërisë “Vlora International Airport”, duke akuzuar Qendrën Kombëtare të Biznesit se ka regjistruar në mënyrë të paligjshme transferimin e kuotave të kompanisë, pavarësisht vendimeve gjyqësore.

Në një reagim publik, ai pretendon se regjistrimi është kryer në kundërshtim me një masë siguruese gjyqësore, një vendim të përmbaruesit të regjistruar në QKB dhe një vendim të Gjykatës së Lartë. Ai e cilëson këtë veprim si cenim të pronës private dhe të sigurisë juridike të investimeve në Shqipëri.

Pacolli përmend edhe emrat e Valon Ademit dhe Vegim Hoxhës, për të cilët ngre dyshime lidhur me këtë çështje, ndërsa kërkon që hetimet të zbardhin edhe nëse kanë pasur rol përfaqësues të QKB-së apo institucioneve të tjera. Këto janë pretendime të biznesmenit, të cilat duhet të verifikohen nga organet kompetente, raporton Faktor.al.

Ai bën të ditur se MABCO Constructions SA ka depozituar kallëzim penal në SPAK ndaj personave që dyshohen për përgjegjësi në këtë regjistrim dhe paralajmëron hapa të tjerë ligjorë të hënën. Në reagimin e tij, Pacolli u kërkon institucioneve të drejtësisë të ndërhyjnë dhe të hetojnë rastin, duke e cilësuar atë si një çështje që shkon përtej interesave të kompanisë dhe prek besimin te shteti ligjor.

Reagimi i plotë i Behgjet Pacollit:

“NJË TJETËR GODITJE E RËNDË DHE KORRUPTIVE NDAJ SHTETIT TË SË DREJTËS NË SHQIPËRI

Me indinjatë të thellë konstatojmë se Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), në Tiranë, në kundërshtim me vendimet gjyqësore dhe pa asnjë bazë ligjore, ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në strukturën e kuotave të shoqërisë Vlora International Airport (VIA), duke regjistruar transferimin e kuotave për të cilat ekziston një masë siguruese gjyqësore e ekzekutuar, një vendim i përmbaruesit gjyqësor i regjistruar në QKB, vendimi i Gjykatës së Lartë dhe në mungesën totale të çdo miratimi tjetër ligjor që do të lejonte një transferim të tillë.

Ky është definitivisht një akt i rëndë abuziv që cenon pronën private, shpërfill autoritetin e gjykatave dhe dëmton rëndë sigurinë juridike të investimeve në Shqipëri.

Këto manipulime, të cilat i konsiderojmë abuzive, të kundërligjshme dhe të dënueshme, dyshohet se janë orkestruar nga Valon Ademi dhe Vegim Hoxha, me përfshirjen e përfaqësuesve të QKB-së, duke i trajtuar institucionet shtetërore sikur të ishin pronë e tyre private. Duhet të zbardhet plotësisht nëse në këto veprime kanë qenë të përfshirë apo kanë dhënë ndihmën e tyre edhe përfaqësues të institucioneve të tjera.

Kush u jep të drejtën këtyre njerëzve dhe funksionarëve shtetërorë të vendosin mbi ligjin dhe mbi vendimet e gjykatave?

Kush qëndron pas këtyre veprimeve dhe kujt i shërbejnë ato?

MABCO Constructions SA ka ndërmarrë tashmë të gjitha veprimet ligjore, përfshirë kallëzimin penal në SPAK ndaj autorëve të dyshuar për këtë veprim kriminal.

Të hënën do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm ligjorë kundër çdokujt që ka kryer ose ka mundësuar këtë regjistrim të paligjshëm dhe jo vetëm.

U bëj thirrje institucioneve të drejtësisë shqiptare të veprojnë menjëherë, të hetojnë përgjegjësit dhe të garantojnë respektimin e ligjit dhe të pronës private.

Kjo nuk është më vetëm çështje e MABCO-s apo e Aeroportit të Vlorës. Është çështje e funksionimit të shtetit ligjor, e besimit të investitorëve dhe e reputacionit ndërkombëtar të Shqipërisë.

Ne nuk do të heshtim dhe nuk do të tërhiqemi. Do të kërkojmë drejtësi në Shqipëri dhe në çdo instancë ndërkombëtare kompetente.

Askush nuk është mbi ligjin. Prona private dhe vendimet e gjykatave nuk mund të bëhen objekt pazari apo abuzimi administrativ.

Behgjet Pacolli

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Qindra protesta u zhvilluan të shtunën në Francë kundër rritjes…