
2 qershori rikthim në kujesën time (kushtuar Faik dhe Besim Ukëhaxhajt)
Shkëlzen Ukëhaxhaj
Ikin vitet, kujtimet ripërtëriten e me to ndjenjat na kthejnë nëpër ato grimca atomesh që kanë krijuar historinë dhe ne pyesim si jemi këtu?! Nuk është rastësi që jemi në vitin 2025 dhe jemi në Kosovën e lirë. Ky është shkaku që, dikund nëpër subkoshiencën tonë, mungon dikush që ne na bën të kënaqur, të mendueshëm e në ndonjë çast edhe të pikëllueshëm. Mungesa e dikujt është padyshim mosplotënia e pjesës, andaj nënvetëdija jonë e kërkon atë për t’u bërë e plotë. Por nganjëherë është e pamundur të gjindet ajo pjesë në gjendje fizike, por duke lundruar nëpër kujtesën tonë në formë atomesh apo molekulash, ajo ngacmon nënvetëdijen tonë e kështu ne kthehemi dhe krijojmë atë të kaluar për të bashkuar pikëpjekjen tonë këtu e 27 vite prapa.
Ka qenë pranverë por s‘mund ta kujtoj dot atë ditë dhe datë të 1998-es kur mora telefonin për të thirrur në shtëpinë tonë në Carrbreg për të pyetur si ishte familja, në rend të parë, pasi që lufta kishte marrë hov dhe dita ditës nuk i ngjante. Për neve që ishim larg, kjo gjendje ishte herë – herë e padurueshme dhe nuk mund të qendronim krejtësisht pasiv, së paku mund të kontribuonim me ndjenjën tonë se me mendje e zemër ishim me ta. Kjo mendoj edhe kishte dëmëthënien e vet, sepse atje edhe luftëtarët mund të kishin shpresë se nuk do t’i lëmë vetëm, sekush në mënyrën e vet. Kjo munt të merret edhe si motivacion, natyrisht krejt mikroskopik krahasuar me atë për të qenë krah për krah në fushën e betejës.
Në anën tjetër të telefonit njoha pavështirësi zërin e Faikut. Sot këtu, i kërkoj falje lexuesit, që nuk mund t’ia sjell emocionet e asaj dite, është e pamundur, duhen faqe për të përshkruar dridhjet e zemrës dhe mornicat që përshkonin trupin tim nga fundi i gishtave deri te maja e flokut që ngrihej nga çdo fjalë që sillte në veshin tim tingujt e ardhur nga goja e Faikut. Ai fliste dhe më tregonte për betejen e para disa orëve që kishin pasur të Ura e Bajramhasanve që ndanë Carrabregun me Prilepin – magjistralja që shkon për në Gjakovë. Ai po thoshte se kishin vrarë disa policë serbë dhe i kishin goditur papritur dhe nuk ishte i sigurt nëse kishte shpëtuar ndonjë prej tyre. Tregonte se pas sulmit të befasishëm ishin tërhequr për të mos pasur humbje nga ana jonë; tregonte se ishin mjaft entuziast dhe s’ka polici dhe ushtri serbe që do t’i ndalte në rrugën që kishin nisur deri në çlirim, përfundimisht; thoshte: „Shkëlzen nuk jemi tani ata që fshiheshim nga disa policë kur vinin dhe na kërkonin sepse ata ishin të armatosur e ne duarthatë. Ne tani kemi zemrën, kemi dhe pushkën – ata kanë pushkën por edhe tutën“ vazhdonte a të kujtohen akoma vargjet e poetit të Himnit Kombëtar që e përseritnim aq shpesh nëpër mbrëmjet e gjata të dimrave:
Asgjë nuk duam nuk
Veç armë dhe ca bukë
Më porosiste që mos të shtrëngojë dorën por të jap edhe qindarkën e fundit për luftën, veç kjo na duhet, dhe Kosovën do ta çlirojmë njëherë e përgjithmonë nga thundra barbare serbe… ai fliste dhe s’më jepte mundësi të thoja diçka. Thua se e dinte krejt atë çka doja t’ia thoja, apo, ato që mund t’ia thoja ishin aq të pavlefshme sa që nuk donte t’i dëgjonte. Bashko shokë dhe thuaju se UÇK-ja po lufton, ajo po fiton nuk do të ndalet pa fituar Kosova lirinë: andaj dorën shlirë për lekun dhe të shtohen arkat me fishekë e me dyfekë. Fliste Faiku – dëshmori i Kosovës dhe heroi im – unë ndëgjoja me trupin të mbuluar nga mornicat dhe ethet e entuziazmit që më sillte zëri i tij. Atë çast nuk mund ta dija se nuk do ta ndëgjoj kurrë më zërin e tij të ëmbël, përndryshe do ta zgjatja bisedën me orë e me orë deri sa do të na mbyllëshin sytë nga terri i natës. Kur u kthehem në meditimet e mia të shpeshta asaj bisede, filloi të mendoj në ato thëniet e gjysheve tona kur na tregonin se po të koncentrohesh në gjendjen përreth kur flet me një njeri që e ka vdekjen ngjitur për trupi mund ta hetosh, mund ta dish se ai njeri e ka vdekjen e afërt. Thoshin ato: „i kish ra nuri i vdekjes“. Tani kur po shkruaj më rrëqethet trupi sepse më përvijohen ato fjalë të Faikut nëpër veshët e mi si fishkëllimë e një kohe të largët dhe më tërheqin prapa dhe më kthejnë atë ditë pranvere të ’98-es. Ai paska pasur nurin e vdekjes, por ajo vdekje nuk qenka si vdekjet e zakonshme sepse ajo ka ndikur në mua dhe më ka lidhur me zingjirin e kujtesës në formën e nënvetëdijës. E kërkoj gjithmonë Faikun nëpër ato vite që kemi jetuar bashkë. Ai ik dhe më fshihet nëpër javë e muaj por kur vjen 2 qershori ai ngrihet dhe thot: Ej unë jam këtu dhe s’më harron dot. Unë ta shpoj kujtesën dhe të gjej kudo që të jesh, edhe nëse ka një bjeshkë me probleme sot në këtë datë do rrimë bashkë, do kujtojmë ato vite të cilat kanë lënë vragë të pashlyshme. Edhe pse unë kalova nga andej sapo më kishin filluar thinjat e para e ti qenke bërë si bora mbi majën e Gjeravicës, dije se kjo kohë është veç relative sepse e sheh që unë po kthehem e po rikthehem te ti, te ju. Është e pamundur të harrohemi sepse jemi njësuar në molekulat e ujit dhe atomet e ajrit; jemi njësuar në germat e LIRISË, kështu që ne do të rrimë bashkë nëpër vite dhe do të takohemi në çdo 2 qershor.
2 qershori ’98-es nuk harrohet edhe po të dua, sepse siç e thash një rrymë intermolekulare nëpër dejtë e gjakut ndikon dhe më dërgon të e marta e atij qershori vrasës. Nganjëherë pa vetëdije dua që këtë datë nga ngjarje e vdekjes së Faikut dhe Besimit ta kthej në ditë përtej vdekjes sepse kujtesa e mund vdekjen. Përderisa vdekja është mbyllja e aktit të jetës, kujtesa është luftëtarja që e mund vdekjen, është fituesja që e ngadhnjen atë, andaj ai që kujtohet nuk vdes…
Jemi kthyer shumëherë asaj dite, tashmë 27 herë, e më së paku një here në vit. Atë ditë Faiku me Besimin kanë rënë në pritë të policisë serbe. Ata të fshehur në shtëpinë e Besimit kanë pritur dy luftëtarët që ecnin drejt shtëpisë së tyre. Kur këta i kanë vërejtur kanë marrë pozicion pas trupave të dy mollave gjyle. Ato dy pemë, molla të vjetra disa dhjetravjeçare, trupi i të cilave i trashë sa trupi i një njëriu, ishte bërë mburoja e vetme e Besimit dhe Faikut të cilët zbraznin rrethatorët e tyre në drjetim të policëve të fshehur pas mureve të shtëpisë. Nuk ka dëshmitarë okular që të dëshmonin për qëndresën e dy dëshmorëve, kjo fatkeqësisht, por ka dëshmi të mbetura. Pranë trupave të pajetë të Faikut dhe Besimit janë gjetur me dhjetra e dhjetra gëzhoja të fishekëve nga dyfekët e tyre të zbrazur në drejtim të policëve serbë. Nuk dihet për humbjet e atyre, sepse ata kanë pasur kohën për të fshehur gjurmet e humbjes, por dihet për qëndresën e dëshmorëve tanë të paharruar. Ata mund të dorëzoheshin e pastaj nuk do të dihej çfarë fati do të kishin, ne na thot mendja se ata kanë rënë dakort që t’i ndezin fishekët për aq kohë sa të kënë jetë dhe të mbesin në kujtesën e pavdekshmërisë. Ata ranë të pambrojtur si heronjtë e vigut në fushën e hapur, por duke u besatuar të mos dorëzohen deri në frymën e fundit, para eskadronëve serbë.
I përjetshëm kujtimi për dëshmorët e vërtetë anë e kënd trojeve shqiptare! Krenar me veprën e tyre!
Lavdi Faikut dhe Besimit, përgjithmonë!
2 qershor 2025