LETRA (QË NUK MË LEXOHET) DREJTUAR KOMISIONARIT HAHN

03 dhjetor 2018 | 20:34

ADEM GASHI

Z. Hahn, nuk dyshoj se ju e njihni lidershipin e Kosovës. Nuk dyshoj se e dini që nuk i ka përmbushur as për së afërmi kushtet e detyrueshme sipas kërkesave tuaja: kushtin e sundimit të ligjit dhe të luftimit të korrupsionit të tmerrshëm që po na gërryen.

Nuk po ju pyes as përse ia liberalizuat vizat Serbisë, shkaktares së luftërave e të tmerreve në Ballkan, ndërkohë që neve na e tundni shaminë shantazhuese të 2020-s; nuk po ju pyes as përse nuk i vini në shenjë mospërmbushjet e marrëveshjeve që ka nënshkruar Serbia për mospengim të Kosovës për aderim në organizmat ndërkombëtare (Interpol, UNESKO etj); nuk po ju pyes as për të tjerat që janë shumë.
Po, një pyetje, pavarësisht prej zemërgjerësisë sime, nuk e shmang: Ç’është tani ky presioni i taksës? Ne presim me net e me ditë, me muaj e me vite (e dini ç’janë dy dekada pritje!?) për më të dashurit tanë të rrëmbyer e të zhdukur nga Serbia.

Zotëri Hahn, ne presim eshtra. Dhe po lodhemi e po vuajmë, po plakemi e po vdesim nën tiraninë e pritjes.

Nuk besoj të mos e dini ju se pleqtë e plakat tona, nuset e fëmijët e foshnjat nuk vajtën në Serbi të luftonin. Ne mendonim se tregtarët e “shpirtrave të vdekur” të Gogolit s’ishin veçse personazhe të imagjinatës së shkrimtarit. Po ja ku na u shfaqën Çiçikovët serbë në shekullin XXI, z. Hahn.

Duke qenë me vokacion shkrimtari s’gjej ngushëllim tjetër, Komisionari Hahn, veçse ta shkruaj Baladën për ESHTRAT dhe Satirën për TAKSËN. 

E dini se në fjalorin mortor ka një nocion: KENOTAFE. Ky kuptohet edhe në gjuhën tuaj, edhe në të gjitha gjuhët e Evropës. Janë varret boshe, z. Hahn, janë edhe mbi 1 600 kenotafe të hapura.

Nejse. Duke e ditur që nuk më lexohet as kjo letër, nuk po lodhem ta përkthej në asnjë gjuhë. 

Le të jetë gjëma ime. Kaq.

Prishtinë, 3. 12. 2018

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një autobus është përfshirë nga zjarri në Gjermani. Në mesin…