Virologu amerikan dyshon se infeksioni Covid i depërtoi nga sytë
Një virolog amerikan, i cili, edhe pse është treguar i kujdesshëm në punë, është infektuar me virusin Korona. Joseph Fair në emisionin “TODAY” ka thënë se beson se virusin Korona mund ta ketë marrë nëpërmjet syve në një fluturim me shumë njerëz.
Virologu dhe epidemiologu 42-vjeçar, i cili u është përgjigjur epidemive të shumta në të gjithë botën, u sëmurë rreth tri ditë pas një fluturimi për në shtëpinë e tij në New Orleans.
“Unë kam pasur një maskë, kam pasur doreza, kam bërë rutinën time normale të kujdesit por, padyshim, prapë mund ta marrësh nga sytë. Dhe sigurisht nuk kisha vënë syze gjatë fluturimit”, ka tregua ai.
Virologu shpjegoi se një nga tri rrugët e njohura të marrjes së këtij virusi janë sytë, ndërsa shtoi se ne nuk u kushtojmë vëmendje të madhe.
“Ne priremi t’i kushtojmë vëmendje hundës dhe gojës, sepse kjo është rruga më e zakonshme, por ju e dini që piklat që bien në sytë tuaj janë po aq infektive”, ka treguar ai dhe ka shtuar se linja ajrore “na kishte mbushur si sardele” dhe, “instinktivisht, unë ndoshta do të duhej të isha larguar”.
Sipas ekspertëve, mënyra kryesore e përhapjes së koronavirusit është “nga personi në person, kryesisht përmes piklave të frymëmarrjes të prodhuara kur një person i infektuar kollitet ose teshtin”.



