Trump njofton për armëpushim energjetik mes Ukrainës dhe Rusisë

11 tetor 2026 | 20:07

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi për një armëpushim energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës, pas vendimit të tij të mëparshëm për t’i lehtësuar kufizimet ndaj eksporteve ruse të naftës dhe thirrjes së mëvonshme për ndryshim të udhëheqjes në Kiev.

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi për një armëpushim energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës, pas vendimit të tij të mëparshëm për t’i lehtësuar kufizimet ndaj eksporteve ruse të naftës dhe thirrjes së mëvonshme për ndryshim të udhëheqjes në Kiev.

“Me efekt të menjëhershëm, ka një ARMËPUSHIM ENERGJETIK në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës”, shkroi ai më 11 tetor në Truth Social. “Të dyja palët janë pajtuar. Mos e shkelni!”, raporton Rel.

Pak më vonë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se Kievi e mbështeste nismën dhe po priste hollësi nga Uashingtoni. Më herët, ai kishte sinjalizuar gatishmërinë për t’i ndalur sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, nëse Moska i ndalte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

“Është e rëndësishme që edhe Rusia ta mbështesë”, shkroi Zelenskyy në X. “Ukraina gjithmonë i mbështet PLOTËSISHT hapat drejt uljes së tensioneve, mbrojtjes së jetëve dhe vendimeve të nevojshme për t’i dhënë fund luftës dhe për të garantuar paqe të qëndrueshme.”

Moska nuk e konfirmoi menjëherë njoftimin e Trumpit, i cili erdhi mes sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj qyteteve ukrainase dhe sulmeve ukrainase me dronë ndaj objekteve teknologjike brenda Rusisë.

Më herët, Kremlini kishte refuzuar thirrjet për çfarëdo marrëveshjeje armëpushimi, duke synuar ta detyronte Kievin të pranonte një marrëveshje të pafavorshme përmes sulmeve të rënda ndaj objekteve energjetike në Ukrainë. Këto sulme kanë lënë mijëra njerëz pa ngrohje dhe energji elektrike, mes temperaturave të acarta të dimrit.

Deklarata e fundit e Trumpit erdhi dy ditë pasi ai dhe presidenti rus, Vladimir Putin, njoftuan një marrëveshje për lehtësimin e përkohshëm të kufizimeve ndaj eksporteve ruse të naftës dizel. Zelenskyy e cilësoi vendimin si shenjë të “dobësisë” së SHBA-së dhe si “dhuratë” për Putinin.

Presidenti ukrainas argumentoi se të ardhurat e shtuara të Rusisë nga energjia do ta nxisnin Moskën ta vazhdonte pushtimin e saj, tashmë në muajin e 56-të.

Më vonë, Trumpi tha se Ukraina duhet të “zgjedhë një udhëheqës të ri”. Ai e fajësoi Zelenskyyn për mungesën e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër vendit të tij dhe kërkoi që Kievi “ta ndalë patjetër” goditjen e rafinerive ruse të naftës, mes një krize globale energjetike të shkaktuar kryesisht nga lufta e SHBA-së me Iranin.

Presidenti amerikan e kishte bërë përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës prioritet kur e nisi mandatin e tij aktual, në janar të vitit 2025. Megjithatë, Kievi dhe Moska mbeten larg njëra-tjetrës në qëndrimet për negociata.

Kremlini nuk ka ofruar asnjë lëshim dhe vazhdon të këmbëngulë në kërkesa të ashpra, përfshirë kontrollin rus mbi pjesën e Donbasit që Rusia nuk ka arritur ta pushtojë në luftime.

Ndërkohë, Rusia ka vazhduar bombardimet e pandërprera ndaj rajoneve të Ukrainës. Megjithatë, që nga fillimi i këtij viti, Kievi u është përgjigjur gjithnjë e më shumë me fushatë sulmesh të vetën.

Sulmet ukrainase me rreze të gjatë veprimi kanë shënjestruar objektet ushtarake dhe rafineritë ruse të naftës, me synimin për t’ia kufizuar të ardhurat që financon pushtimin.

“Ukraina do të jetë e gatshme t’i ndalë sulmet ndaj rafinerive ruse nëse Rusia i ndal sulmet ndaj infrastrukturës sonë energjetike. Çdo hap për uljen e tensioneve duhet të jetë i ndërsjellë dhe i shoqëruar me garanci reale”, shkroi Zelenskyy në Telegram më 11 tetor.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar familjet e veprimtarëve…