Kurti viziton familjet e Salih Mëziut dhe Idriz Rrecajt: Kanë marrë përgjigje, por kanë nevojë për drejtësi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar familjet e veprimtarëve Salih Mëziu dhe Idriz Rrecaj, në Marinë dhe Llaushë të Skenderajt, të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën me dhunë nga forcat serbe në prill të vitit 1999.
Mbetjet mortore të tyre u gjetën në një varrezë masive në Zubin Potok dhe u identifikuan javë më parë përmes analizave të ADN-së.
Kurti theksoi se familjet, ndonëse tashmë kanë marrë përgjigje për fatin e të afërmve të tyre, ende presin drejtësi. Ai kërkoi trysni ndërkombëtare ndaj Serbisë për zbardhjen e fatit të më shumë se 1.500 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Postimi i plotë;
Sot në Marinë dhe në Llaushë të Skenderajt vizituam familjet e veprimtarëve Salih Mëziu dhe Idriz Rrecaj, pjesë e “Grupit të Intelektualëve” të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë nga forcat e armatosuara të Serbisë në prill të vitit 1999, mbetjet mortore të të cilëve u gjetën në varrezën masive në Zubin Potok dhe të cilët u identifikuan javë më parë nëpërmjet ADN-së.
Këto dy familje, sikur ajo e Adem Beqirit i cili u varros më 3 tetor, kanë marrë përgjigje por kanë nevojë për drejtësi.



