Shqiptari i “URA”, Dritan Abazoviç i bashkon votat me pro-serbët dhe rrëzon Gjukanoviçin

31 gusht 2020 | 21:43

Opozita e Malit të Zi që pretendon se ka fituar zgjedhjet deklaroi sot koalicionin qeverisës. Pjesë e koalicionit janë partitë pro-serbe dhe grupimi i partive “Bardh e Zi” që drejtohet nga shqiptari Dritan Abazoviç.

Të tre këto grupime thonë se kanë 41 mandate deputetësh nga 80 vende që ka parlamenti i Malit të Zi. Ndërkohë presidenti Milo Gjukanovic ka deklaruar se do të pritet certifikimi i rezultatit final të zgjedhjeve.

Shqiptari Dritan Abazoviç, i cili është kreu i Lëvizjes URA dhe ka siguruar 4 deputetë në Kuvend, ka bashkuar votat me opozitën proserbe, raportojnë mediat shqiptare.

Mediat vendase raportojnë se sot u mbajt një takim i liderëve të koalicionit, “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe “Bardh e Zi”, Zdravko Krivokapic, Aleksa Becic dhe Dritan Abazovic, i cili do të formojë Qeverinë e ardhshme të Malit të Zi.

“Parimi i parë që është rënë dakord është që qeveria e re, demokratike do të zbatojë me përgjegjësi të gjitha detyrimet ndërkombëtare.  Së dyti, që qeveria e re demokratike do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që Mali i Zi të bashkohet me Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur.

Së treti, që qeveria e re, demokratike do të jetë nga ekspert, te përbërë nga personel që janë ekspertë në fusha specifike, pavarësisht nga karakteristikat e tyre politike, fetare, kombëtare ose ndonjë karakteristikë tjetër.

Së katërti, qeveria e re do të angazhohet plotësisht në respektimin e Kushtetutës dhe zbatimin e ligjit, me ndryshime në të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore diskriminuese, përfshirë Ligjin për Lirinë e Fesë”,-thuhet në  deklaratë.

Ata thanë se, përveç kësaj,  u shtrijnë duart përfaqësuesve të popujve pakicë me dëshirën për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të bukur dhe të prosperuar të Malit të Zi.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka treguar në emisionin Pressing…