Komisioni për buxhet miraton Projektligjin për buxhetin e vitit 2022
Prishtinë, 17 nëntor (ER) – Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar në parim Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, para komisionit ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2022, i cili parashihet të jetë mbi 2. 7 miliardë euro.
Sipas Muratit, përveç rritjes së buxhetit për disa dikastere “është paraparë vazhdimi i programit të ringjalljes ekonomike përkundër faktit që deri diku ekonomia është rikuperuar”.
Ndërsa këtë projektbuxhet e ka kritikuar opozita, e cila e ka vlerësuar si jozhvillimor. Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti,e ka pyetur ministrin se a është buxhetuar Ligji i Pagave dhe për këtë Murati, ka thënë se nëse miratohet ky ligj do të mbulojnë me anë të mjeteve me 55 milionë euro.
Më tutje, Hoti ka kërkuar përgjegjësi edhe për projektet kapitale rrugore, atë për Podujevë, Gjilan dhe Tetovë.
Kurse për kritikat që ka marrë nga deputetët opozitarë, konkretisht nga Avdullah Hoti dhe Pal Lekaj për shkurtim të buxhetit të RTK-së për 2 milionë euro, Murati ka thënë se rreth 100 punëtorë në këtë medium publik e kanë pagën më të lartë se të një ministri. Ai ka thënë se një buxhet i tillë për RTK-në është mese i mjaftueshëm.
Ndërsa nënkryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, këtë projektbuxhet e ka vlerësuar si jozhvillimor dhe pa vizion.
Po ashtu, Lushtaku ka kritikuar Ministrinë e Financave për rritje të borxhit publik dhe manipulim me shifra për rritje ekonomike.
Duke iu referuar këtyre kritikave, ministri Murati ka thënë se me anë të këtij projektbuxheti ka një rënie të borxhit publik nga 32 për qind në 27 për qind.
Sa i përket rritjes ekonomike, Murati ka thënë se rritja reale do të jetë 9.9 për qind derisa ajo nominale 12 për qind.



