‘Dardanët’ dy pozita më lart, ‘kuqezinjtë’ tri më poshtë
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka shënuar ngritje në renditjen e re të FIFA-s. “Dardanët”, pas ndeshjeve të muajit në nëntor, nga vendi i 113 janë ngritur në vendin e 111.
Kosova u befasua nga Jordania në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke u mposhtur 0-2. Mirëpo, “dardanët” ndryshuan fytyrën pak ditë më pas, duke barazuar 1-1 në udhëtim me Greqinë, në ndeshjen e fundit të kualifikimeve për Botërorin “Katar 2022”.
Kjo paraqitje pozitive ka ndihmuar Kosovën të ngrehet për dy pozita. Në anën tjetër Kombëtarja e Shqipërisë ka rënë për tri pozita. Humbja e turpshme me Anglinë (5-0) dhe fitorja minimale ndaj Andorrës (1-0) kanë ndikuar negativisht.
Kuqezinjtë humbasin tri vende në renditjen e re të FIFA-s, teksa nga vendi i 63-të tashmë gjenden në të 66-tin.



