“Muslimani”, nesër premierë në Teatrin Kombëtar

20 mars 2022 | 08:43

Në një konferencë për shtyp, në ambientet e Teatrit Kombëtar, aktori dhe regjisori Enver Petrovci, i shoqëruar nga ekipi i tij, ka prezantuar shfaqjen e tij të fundit, “Muslimani”, e cila do të jepet pemierë të hënën, më 21 mars, në Teatrin Kombëtar.

Shfaqja e Enver Petrovcit do të vijë para publikut kosovar e zhveshur tërësisht në aspektin artistik.

Ideja e kësaj shfaqjeje nisi kur Petrovci ishte për vizitë në Malin e Zi.

“Rastësisht isha pjesëmarrës në një dasëm në Ulqin ku martoheshin një shqiptare muslimane me një malazes ortodoks.

Pronari i hotelit që ishte shqiptar më tha: “Neve shqiptarëve katolikë dhe muslimanë nuk na duket e pazakontë të martohemi me malazezë ortodoksë, por shqiptarët muslimanë dhe katolikë nuk martohen në mes vete gati kurrë”, tha Petrovci.

Enver Petrovci rrëfen për periudhen kur filloi e gjithë ideja e shfaqjës, koha e pushimeve dhe rastësia që ai të ishte i pranishëm në një dasmë mes një malazezi ortodoks dhe një shqiptareje muslimane.

Sipas Petrovcit problemi kryesor i shfaqjes ishte gjetja e protagonistës grua në rolin kryesor, derisa vendosi për aktorën Vlora Nikçi.

E në anën tjetër aktorja Nikçi u shpreh e lumtur që ishte pjesë e një shfaqjeje, ku regjisori i saj jo vetëm që ka krijuar karakterin e Anitës që do ta luajë ajo, por edhe sepse regjisori bashkë me të do të jetë pjesë e shfaqjes.

“E mira e madhe është që tekstshkruesi është në skenë me ty dhe nuk të lejon me dalë prej Anitës që ky e ka imagjinuar”, tha aktorja Nikçi.

Të dy aktorët, si Petrovci ashtu edhe Nikçi, përmenden në këtë konferencë shpeshëherë se sa është me rëndësi që shfaqja, por edhe artistët, të jenë plotësisht të zhveshur në aspektin artistik, në menyrë që të jenë sa me origjinal.

Regjisori tha se kjo shfaqje është e shkruar në shqip, por që nuk përjashtohet mundësia që të luhet edhe në teatrot jashtë Kosovës.

I pyetur nëse ka qenë sfiduese që të shkruhet një shfaqje me një temë të tillë, ai për gazetën Express tha se në një farë forme nuk mund të shkruhet për diçka nëse nuk përjetohet.

Të pranishëm në këtë konferencë ishinë edhe asistuesit e shfaqjes, skenografi, asistenti i regjisë, Lirim Behluli, i cili tregoi se provat e shfaqjes kishin zgjatur rreth 4muaj, si dhe Arbnora Ademi. /Gazeta Express/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa luftëtarë paraushtarakë sirianë thonë se janë gati të shkojnë…