PSG-ja në Gjermani kërkon kualifikimin në çerekfinale

08 mars 2023 | 08:00

Bayern Muncheni dhe Paris Saint-Germaini e zhvillojnë ndeshjen e dytë dhe kërkojnë kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Më afër këtij qëllimi është skuadra gjermane që shënoi fitore në ndeshjen e parë të zhvilluar në Paris (0-1), kurse ndeshja kthyese zhvillohet në “Allianz Arena”.

Në kampin “bavarez” e dinë mirë që Leo Messi dhe Kylian Mbappe të ndëshkojnë në çdo çast. Trajneri Julian Nagelsmann ka thënë se nuk do të ketë ndonjë strategji ndryshe për t’i mbuluar yjet e PSG-së. “Ne kemi de Ligt, i aftë jo vetëm të mbrojë mirë, por edhe të shënojë. U përgjigja kështu për të thënë se ne nuk do të futemi në fushën e lojës me idenë ta mbrojmë rezultatin e sfidës së parë. Është një fitore që të gënjen, ndaj do të hyjmë në fushë të vendosur për të shënuar, për të fituar, vetëm kështu mund t’ia dalim mbanë dhe të vijojmë në misionin tonë. Një dorë do të na japin edhe tifozët tanë”, ka thënë Nagelsmann.

Bayerni në këtë ndeshje do të jetë pa Pavardin e suspenduar dhe Hernandezin, Neuerin dhe Mazraouin e lënduar. Edhe PSG-ja ka mungesa për këtë ndeshje dhe kryesorja është ajo e Neymarit që e ka mbyllur sezonin aktual. Ndërsa të lënduar janë edhe Presnel Kimpembe dhe Renato Sanches. Për ndeshjen ndaj Bayernit foli ylli i PSG-së, Leo Messi. Argjentinasi ka thënë se në Munchen shkojnë për fitore. “Është e rëndësishme të arrijmë pas tri fitoreve që na dhanë besim dhe na lejuan të punojmë me një frymë tjetër. Ne shkojmë në Munich për të fituar. E dimë vështirësinë e sfidës, por jemi të përgatitur. Do të jetë e njëjta lojë si në ndeshjen e parë, e cila u vendos nga detaje të vogla. Skuadra ka paraqitur një imazh ndryshe javët e fundit dhe ka shpresën për t’u rikthyer dhe për ta vazhduar kursin në Ligën e Kampionëve. Ka qenë shumë e vështirë për mua të përshtatem në vitin e parë për arsye të ndryshme, por që në fillim të këtij sezoni e bëra me entuziazëm dhe dëshirë, tani jam më rehat me klubin, qytetin dhe gjithçka që është në Paris”, ka thënë Messi.

Sonte (e mërkurë) zhvillohet edhe ndeshja tjetër e Ligës së Kampionëve në mes të Tottenham Hotspurit dhe Milanit. Skuadra italiane e kishte fituar ndeshjen e parë në “San Siro” me rezultat 1-0.

Formacionet e mundshme:

Bayern Munchen: Sommer; Stanisiq, Upamecano, De Ligt; Coman, Kimmich, Goretzka, Davies; Sane, Musiala; Choupo-Moting.

Paris Saint-Germain: Donnarumma; Pereira, Marquinhos, Ramos; Hakimi, Ruiz, Verratti, Vitinha, Mendes; Messi, Mbappe

Të mërkurën takohen:

21:00 Bayern Munchen – Paris Saint-Germain
21:00 Tottenham Hotspur – Milan

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar opinionin publik…