Haradinaj: AAK-ja mbështet rezolutën që dënon sulmin terrorist, kërkon hetim ndërkombëtar
Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se kjo parti e mbështet rezolutën e propozuar për ta dënuar sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën në Banjskë të Zveçanit.
“Ky sulm terrorist dhe terroristët që hynë në Kosovë e morën përgjigjen më të mirë që kishin mundur ta marrin marrë”, ka thënë Haradinaj në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se institucionet e sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, në koordinim me ndërkombëtarët, i kanë mposhtur terroristet dhe kanë vërtetuar se “asnjëherë askush s’mundet dhe s’do të mundet me e rreziku Kosovën”.
“Një rezolutë që dënon sulmin terrorist dhe sponsorët e terrorizmit është e drejtë dhe Parlamenti i Kosovës duhet ta aprovojë. Në këtë rezolutë kërkoj që të përfshihet kërkesa për një hetim ndërkombëtar. Ky hetim ndërkombëtar do të ndihmonte jo vetëm zbardhjen e involvimit të Serbisë në këtë sulm terrorist ndaj Kosovës, por do të ndihmonte bashkësinë ndërkombëtare që të ndëshkojë pra sponsorët e terrorizmit dhe terroristët”.
“E vërtetë se kjo përballje, kjo fitore e ka edhe sakrificën e vet. Fitoret asnjëherë s’kanë ardhur pa sakrificë. Rreshteri i Kosovës, Afrim Bunjaku, është heroi më i ri i Kosovës. Heronj janë të gjithë policët, të gjithë ata që u përballën me terroristët”, ka thënë Haradinaj.



