Plaçkitje në autostradën “Ibrahim Rugova”

17 mars 2025 | 08:28

Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë automjetet. Një rast i tillë i vjedhjes u raportua së fundmi të ketë ndodhur në autostradën “Ibrahim Rugova”, në zonën e fshatit Lladroc të Malishevës. Një kamionist serb kërkoi ndihmën e Policisë së Kosovës dhe e raportoi rastin.

Burimet e Sinjalit brenda policisë bëjnë me dije se viktima kishte ndaluar kamionin e tij në një pushimore mes fshatit Senik dhe Lladroc për një pushim të shkurtër.

Mirëpo, sapo ai ishte larguar pak nga kamioni, një veturë ishte afruar me shpejtësi dhe personi i dyshuar kishte hapur kabinën e kamionit, duke i grabitur çantën e dorës.

Në çantë, bazuar në deklaratën e tij, ai kishte dokumente personale, të gjitha të lëshuara nga autoritetet serbe, si dhe një shumë parash prej rreth 800 eurosh.

Si rezultat i raportimit, policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për të identifikuar dhe kapur të dyshuarin.

Me vendim të prokurorit të shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje”.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Pas rreth 20 vjetëve punë të suksesshme të Universitetit të…