Lladrovci pret veteranët e Kroacisë: Miqësia e kohëve të vështira nuk harrohet

07 tetor 2026 | 23:29

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, bashkë me anëtarët e Shoqatës së Shqiptarëve Veteranë të Luftës së Kroacisë, kanë bërë homazhe dhe vunë buqeta me lule pranë Memorialeve në Marinë dhe Gllanasellë, si dhe në Sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci”.

Me këtë rast, z. Lladrovci ka deklaruar se miqësia e kohëve të vështira nuk harrohet.

Deklarata e tij e plotë në rrjetin social:

Me anëtarët e Shoqatës së Shqiptarëve Veteranë të Luftës së Kroacisë, në krye me Esatin dhe Tomën, kemi bërë nderime dhe vendosëm buqeta me lule pranë Memorialit të dëshmorëve në Marinë dhe Gllanasellë, si dhe pranë shtatoreve në Sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci”, për heronjtë:

1. Fehmi Lladrovci
2. Xhevë Krasniqi Lladrovci
3. Adem Jashari
4. Hamëz Jashari
5. Shaban Jashari
6. Ilaz Kodra
7. Hafir Shala
8. Rasim Kiçina
9. Bedri Shala, dhe
10. Asllan Fazliu.

Veteranët nga Kroacia, kujtuan veçanërisht studentët që studiuan në Zagreb dhe kontribuan në UÇK me bashkëluftëtarët e tyre, heroizmin e shqiptarëve në Kroaci, me ç’rast vlerësuan lartë guximin, trimërinë dhe disiplinën e tyre.

Lufta për liri e pavarësi të Kroacisë, gjeti përkrahës e kontribues të mëdhenj ndër shqiptarët, përvoja e krijuar në ato fronte, shërbeu shumë për luftën tonë çlirimtare.

Miqësia e krijuar në rrethana lufte, në mes të Kosovës dhe Kroacisë, mbetet model i bashkëpunimit institucional e historik. Kroacia dhe Kosova nuk i harrojnë ata që dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë, andaj sot e gjithmonë përkulemi me nderim pranë vendit ku prehen dëshmorët e martirët.

Faleminderit miqtë e mi, Tomë dhe Esat me bashkëluftëtarët veteranë që kujtoni e nderoni kontribuesit e çlirimit të Kosovës dhe Kroacisë. Miqësia e kohëve të vështira nuk harrohet.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Thëllënza Krasniqi është emëruar Sekretare e Shoqatës së Kombeve të…