FSHF-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Federatën e Basketbollit, kjo është arsyeja
Federata e Futbollit dhe Federata e Basketbollit të Shqipërisë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim promovimin, zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë së arbitrimit në të dyja sportet, përkatësisht futbollit dhe basketbollit.
Me anë të kësaj marrëveshjeje synohet shkëmbimi i përvojave, praktikave të mira dhe gjetja e burimeve për të arritur rezultate më pozitive, si dhe për të rritur nivelin e profesionalizmit të arbitrave.
Ky memorandum bashkëpunimi u nënshkrua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” dhe të pranishëm ishin presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe presidenti i FSHB-së, Avni Ponari.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e cilësoi këtë marrëveshje bashkëpunimi shumë të rëndësishme dhe falënderoi presidentin Ponari për gatishmërinë e tij.
Presidenti Duka u shpreh i sigurt se kjo marrëveshje do t’i shërbejë të dyja federatave për shkëmbimin e eksperiencave më të mira dhe për të bërë akoma më shumë për dy sportet më të rëndësishme në Shqipëri.
Ndërkaq presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, e cilësoi këtë marrëveshje si historike dhe shumë të rëndësishme, pasi do të ndikojë në rritjen e cilësisë së arbitrimit. Gjithashtu, ai falënderoi presidentin Duka për gjithçka ka bërë për sportin në Shqipëri.
“Për mua është një ditë e veçantë, ndoshta dhe historike, sepse për herë të parë dy federata nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët. Një marrëveshje që do t’i shërbejë bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe ndërtimit të një programi e strategjie për edukimin dhe rritjen e nivelit të cilësisë. Vajza dhe djemtë që ushtrojnë këtë profesion do të kenë mundësinë të pasqyrojnë dhe tregojnë nivelin e lartë të arbitrimit, sepse ata janë në të vërtetë njerëzit që përfaqësojnë federatat dhe janë dinjitozë, si në fushat e blerta ashtu edhe në pallatet e sportit”, tha presidenti i FSHB-së, Avni Ponari.



