BESIMI TE LIRIA KA QENË VENDIMTAR PËR ARDHJEN E SAJ
E shkruar nga Milazim Krasniqi me 1 qershor të vitit 2000
Në kremten për Ditën e Fëmijës më 1 qershor të këtij viti, kam parë në një dritë disi të veçantë, përmasën e lirisë, që e ka përfshirë jetën tonë në harkun kohor për një vit të vetëm. Fëmijët e pajisur me maska dhe me lodra të llojllojshme, të ngjyrosur në fytyra si personazhe të preferuara filmash, të ndarë në kampe garuese, mbushnin me ritme të hareshme bulevardin kryesor të kryeqytetit. Fryma garuese ndërmjet nxënësve të shkollave “Hasan Prishtina”, “Ismail Qemali”, “Elena Gjika”, “Gjergj Fishta”, përcaktohej nga zërat e lartë, që theksonin emrin e shkollës së tyre. Disa nxënës vizatonin nëpër asfalt, disa të tjerë frynin balona dhe përpiqeshin që t’i pëlcisnin, për të provuar bubullimën e tyre frikësuese në llogari të nxënësve të shkollës tjetër. Me mikun tim Fadil Hysaj, tërë këto skena po i shikonim duke defiluar edhe ne skaj më skaj bulevardit, në mesin e fëmijëve, bashkë me fëmijët dhe ndoshta më e sakta është po të them si fëmijë. Disa herë ia bënim pyetjen njëri- tjetrit: “A po e sheh?”, duke nënkuptuar diçka më shumë se pamja që kishim para sysh. Në fakt, pyetja kishte të bënte me diçka të kaluar, që ishte parathënie e kësaj që shihnim. Ne po e shihnim lirinë para vetes, dhe po bënim pyetjen “A po e sheh?”, jo për të, po për besimin që kishim pasur se do të vinte një ditë liria. Ajo kishte ardhur dhe ne vetëm sa e bindnim veten se kishim pasur të drejtë, kur kishim besuar se një ditë liria do të vinte.
“Këta fëmijë do të na e sjellin lirinë”
Më 1 qershor 1998, në Ditën e Fëmijës, patëm organizuar një protestë të fëmijëve të kryeqytetit, si reagim ndaj terrorit dhe spastrimit etnik që po përshkallëzonte regjimi terrorist i Millosheviqit në Kosovë. Këshilli Republikan i Protestave, kështu quhej një grup njerëzish që organizonim defilimet dhe protestat gjithëpopullore për dy muaj të plotë të asaj pranvere të ashpër, Fadilin e kishte ngarkuar për përgatitjen e panove dhe të pankartave, ndërsa unë isha zëdhënës dhe duhej të informoja mediat dhe opinionin për protestat dhe mesazhet e saj. Kur dolëm në bulevard, disa minuta para se të fillonte zyrtarisht protesta, aty nuk kishte ku të hidhje këmbën, ngase i tërë bulevardi, nga Teatri Kombëtar e deri te Hoteli Grand, ishte mbushur nga fëmijët e shkollave fillore të kryeqytetit dhe nga arsimtarët e prindërit e tyre. Fëmijët defilonin nëpër bulevard dhe me zërat e tyre të hollë e të ngjirur thërrisnin sa mundnin: “Ne jemi UÇK”, “Ne jemi UÇK”, “Krejt Kosova UÇK”… Prindërit rrinin të mbështetur nëpër trungjet e blirëve dhe shikonin të ngurosur. Me qindra prej tyre i kam parë me lot në sy, me faculeta në dorë, duke u përpjekur të fshihnin lotët… Ishte një ankth kolektiv. Kthjelltësia më e madhe ishte në zërat e ngjirur të fëmijëve. Nuk mund ta di a kanë ndier frikë ata mijëra fëmijë në atë protestë madhështore të tyre, a kanë menduar për mizoritë e mundshme që mund të bënin eskadronët e policisë, që kishin mbërthyer të gjitha këndet e bulevardit. Por, e di se të rriturit, kanë qenë në ankth të rëndë, në një dhimbje topitëse, që duhej fshehur para fëmijëve të tyre ngulmues, që brohorisnin emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që përjetohej si një hero shpëtimtar. Kurrë më shumë se atë ditë nuk kam qenë i tmerruar nga mundësia e intervenimit të policisë serbe ndaj protestuesve. Me Fadilin jemi parë disa herë dhe vetëm kemi konfirmuar se protesta ishte madhështore dhe se kjo protestë do ta trondiste opinionin demokratik botëror. Ishim të bindur se mediat do t’i jepnin rëndësi të madhe protestës së fëmijëve të Kosovës, dhe kjo do të hidhte një dritë shumë pozitive edhe mbi rezistencën e armatosur shqiptare. Kur brohorasin fëmijët, “Ne jemi UÇK”, nuk ka mundësi që të mos reflektohet dhe të vlerësohet se deri ku ka arritur përmasa e dhunës serbe ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Në atë rrëmujë, Fadili më pati thënë: “Edhe këta fëmijë janë luftëtarë dhe do të na e sjellin lirinë!” Mandej ngjarjet rrodhën nëpër shtratin e përgjakshëm që krijoi gjenocidi serb kundër popullit shqiptar, dhe unë sikur e kisha harruar krejt protestën e fëmijëve të 1 qershorit të vitit 1998. Por me Fadilin e kishim lënë të pinim kafe në Grand pikërisht në orën që fillonte festa e fëmijëve dhe kjo nuk di a ishte e rastësishme vërtet.
Të rënët janë në vetë themelet e lirisë së këtij vendi
Fjala epokë ka kuptim të gjerë dhe përthekon një tërësi kohore tepër të gjatë, por në rastin e Kosovës, mund të përdoret duke i dhënë kuptim përmbajtjesor, të cilësisë që ka një kohë dhe ndryshimet që ndajnë dy data, ose dy periudha kohore. Vërtet, dëbimi i regjimit terrorist serb nga Kosova, (me forca të armatosura, me administratë, me valutë, me dogana, etj), është ngjarje spektakulare në historinë e popullit shqiptar të Kosovës. Pasojat e kësaj fitoreje janë të rënda: mbi 12.000 shqiptarë të vrarë, rreth 7000 të zhdukur, rreth 800.000 qenë të deportuar në Shqipëri dhe në Maqedoni, mbi 120.000 shtëpi të djegura dhe të plaçkitura, po të përmendin vetëm shifrat më të ashpra në tragjizmin e këtij gjenocidi dhe spastrimi etnik serb. Këto pasoja do të mbajnë në ankth edhe për një kohë të gjatë popullin shqiptar dhe shoqërinë kosovare, por ndarja e madhe e bërë (ndërmjet robërisë dhe lirisë), do të përshpejtojë shërimin e plagëve dhe do të hap horizonte të reja të ardhmërisë. Sot njeriu shqiptar në Kosovë ngrihet në mëngjes i lirë dhe bie në gjumë si njeri i lirë. Ai është i kapërthyer nga halle e vështirësi të shumta sociale, politike e të tjera, por këto halle janë të zakonshme për njerëzit e lirë, edhe në shtetet që me qindra vjet janë të lira dhe demokratike. Papunësi, sëmundje, depresione, mungesë drejtësie perfekte, ka ngado që e përthekon rruzullimi, sepse kjo e ka shkakun te vetë karakteri njerëzor dhe raportet që ndërtohen, në kundërshtim me vlerat fundamentale të dhëna nga Krijuesi. Por, tash nuk na mungon liria e protestës, liria e qarkullimit, liria e shprehjes, liria politike, me një fjalë liria konkrete. Kur ta krahasoj 1 qershorin e vitit 1998 me 1 qershorin e vitit 2000, e kuptoj se në këtë vend ka ndodhur mrekullia e lirisë, të cilën e kemi përfytyruar dhe besuar, megjithëse pa e pasur të qartë se në çfarë forme dhe në çfarë përmbajtjeje.
Prandaj, pyetja e Fadilit: “A po e sheh?”, teksa ishim shkrirë në një festë fëmijësh të llastuar të shkollave fillore të kryeqytetit të Kosovës, është një pyetje që konfirmon se njeriu shqiptar i Kosovës ka pasur besim se do të vinte liria. Edhe ata që kanë vdekur pa u përkulur para syve të egërsuar të vrasësve të tyre, kanë besuar patundshëm se do të vinte liria. Për atë shkak ata nuk janë përkulur, nuk kanë rënë në gjunjë, nuk janë lutur as për shpëtimin e jetës së fëmijëve të vet, sepse nuk kanë dashur të gjunjëzohen para kriminelëve. I kanë parë si humbës definitiv. Jam i bindur se disa prej tyre (fëmijë dhe të rritur) kanë marrë pjesë në protestën e 1 qershorit të vitit 1998, ndërsa sot nuk janë më në mesin e të gjallëve. Po gëzimi i këtyre fëmijëve, lojërat e tyre, janë një satisfaksion për ta, sepse ata janë në vetë themelet e lirisë së këtij vendi. Ata që mohojnë vlerën e rezistencës shqiptare, të luftës së armatosur çlirimtare, të sakrificës së njeriut shqiptar, ata mohojnë vlerën e lirisë së fituar me çmim tepër të lartë. Ata mohojnë vlerën e popullit të vet dhe janë cinikë sepse thirren në emër të tij.
Sa herë festohet, duhet të mbahen para sysh dy gjëra: besimi se liria do të vijë ka qenë vendimtar për ardhjen e saj dhe të rënët, si pika kulmore e rezistencës totale shqiptare, janë gjithmonë mes nesh, veçse ne nuk i shohim. Sikundër që nuk i shohim edhe shumë gjëra të tjera, të cilat gati sa na i shpojnë sytë me konkretësinë e tyre. (1 qershor 2000).



