BE-ja dhe Zvicra pa mbrojtje për ukrainasit që nuk përmbushin detyrimet ushtarake

20 gusht 2026 | 15:38

Lulëzim ETEMAJ

Këtë vit, qasja e BE-së dhe SHBA-së ndaj luftës në Ukrainë ka ndryshuar ndjeshëm. Krahasuar me vitet e mëparshme, Evropa, përmes BE-së, tani është donatori më i madh ushtarak, ndërsa SHBA-ja ka dhënë shumë më pak ndihmë të re. Megjithatë, Evropa vazhdon të blejë armë amerikane. Njoftohet se vetëm në periudhën janar-qershor 2026, donatorët evropianë blenë të paktën 3 miliardë euro armë nga kompanitë amerikane për luftën në Ukrainë.
Këtë muaj, BE-ja ka ndërmarrë një hap të ri në qasjen ndaj luftës në Ukrainë. Në këtë qasje është përfshirë edhe Zvicra.
Sipas mediave të shumta gjermane dhe zvicerane, Bashkimi Evropian dhe Zvicra kanë përshtatur rregullat për mbrojtjen e personave të zhvendosur nga Ukraina. BE-ja e ka zgjatur mbrojtjen e përkohshme deri më 4 mars 2028. Në të njëjtën kohë, qasja në këtë mbrojtje kufizohet për personat që kanë detyrime ushtarake në Ukrainë.
Të prekur janë veçanërisht personat ukrainas në moshë për shërbim ushtarak, rezervistët dhe personat me detyrime të tjera ushtarake. Sipas rregullave të reja të BE-së, mbrojtja e përkohshme mund të mos u jepet personave që nuk i përmbushin detyrimet e tyre ushtarake sipas ligjit ukrainas dhe që, për këtë arsye, nuk kanë të drejtë të largohen nga Ukraina.
Rregullat e reja nuk prekin personat që tashmë e kanë fituar mbrojtjen e përkohshme.
Edhe Zvicra e ka përshtatur praktikën e saj me atë të BE-së. Këshilli Federal ka vendosur që statusi i mbrojtjes S të vazhdojë deri më 4 mars 2028. Nga 20 gushti 2026, për aplikimet e reja, personat që kanë detyrime ushtarake duhet t’i përmbushin ato në Ukrainë.
Për personat që tashmë kanë statusin S, ky ndryshim nuk sjell pasoja. Kufizimi i ri vlen kryesisht për aplikimet e reja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës ka reaguar…