Edita Tahiri: Kriza politike dyvjeçare kaloi, duhet ta nxjerrim Kosovën nga izolimi ndërkombëtar

08 tetor 2026 | 10:24

Ish-ministrja dhe ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka deklaruar se pas tejkalimit të krizës politike dyvjeçare, vendi duhet të fokusohet në sfidat kryesore që e presin.

Tahiri ka thënë se gjatë kësaj periudhe është krijuar një brez i ri aktiv dhe i vetëdijshëm për të kaluarën dhe të ardhmen e Kosovës.

Sipas saj, ndër prioritetet kryesore tani duhet të jenë drejtësia për çlirimtarët, përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve dhe nxjerrja e Kosovës nga izolimi ndërkombëtar.

“Kriza politike dyvjeçare kaloi, fituam brezin e ri aktiv të vetëdijshëm për të kaluarën dhe të ardhmen. Tani sfidat tona janë drejtësia për çlirimtarët, mirëqenie për qytetarët që janë përtokë nga varfëria”, ka deklaruar Tahiri.

Ajo ka theksuar se Kosova është bërë, sipas saj, një prej vendeve më të varfra në Evropë, duke kërkuar njëkohësisht angazhim për tejkalimin e izolimit ndërkombëtar.

Tahiri ka bërë thirrje edhe për bashkëpunim politik dhe funksional, pavarësisht dallimeve ndërmjet subjekteve politike.

“Bashkëpunimi politik e funksional është i domosdoshëm, pavarësisht se kemi një qeveri të VV-së që vetëm din me fol mirë për vesh, por punët askund nuk i ka”, është shprehur ajo.

Në fund, Tahiri ka kërkuar unitet për interesat shtetërore e kombëtare dhe për mirëqenien e qytetarëve, duke vlerësuar se kjo është rruga për ta nxjerrë Kosovën nga gjendja aktuale.

“Uniteti për interesa shtetërore, kombëtare dhe për popullin e nxjerrë Kosovën nga kjo gjendje e rëndë”, ka thënë Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Maliq Berisha, Drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Fushë-Kosovës,…