Trupi i huaj i bllokoi frymëmarrjen, mjekët e QKUK-së shpëtojnë 63-vjeçaren
Një ndërhyrje urgjente është realizuar me sukses në Klinikën e Pulmologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku ekipet mjekësore kanë larguar një trup të huaj nga rrugët e frymëmarrjes së një pacienteje 63-vjeçare.
Pacientja ishte paraqitur si rast urgjent, me dyshim për praninë e një trupi të huaj në rrugët e frymëmarrjes. Pas kryerjes së tomografisë së kompjuterizuar (CT) të toraksit, mjekët kanë konfirmuar praninë e trupit të huaj në bronkun kryesor të majtë.
Sipas të dhënave të Klinikës, trupi i huaj kishte shkaktuar bllokim të plotë të lumenit bronkial, duke paraqitur rrezik serioz për shëndetin dhe për komplikime potencialisht kërcënuese për jetën.
Për shkak të gjendjes urgjente, ekipi i Klinikës së Pulmologjisë ka intervenuar menjëherë përmes bronkoskopisë, me qëllim largimin e trupit të huaj dhe lirimin e rrugëve të frymëmarrjes.
Ndërhyrja ka rezultuar e suksesshme dhe trupi i huaj është larguar, ndërsa pacientes i është ofruar trajtimi dhe kujdesi i nevojshëm mjekësor.



