Talenti Mark Gjini ftohet në kampin prestigjioz “La Masia” në Barcelonë

03 shtator 2025 | 09:05

Mark Gjini është një djalosh 11-vjeçar, i cili vijon mësimet në klasën e pestë dhe njihet si një nxënës shembullor. Ai ka treguar sukses të shkëlqyer në të gjitha lëndët shkollore, veçanërisht në edukatën fizike, falë pasionit të tij të madh për futbollin.

Skuadra e tij e zemrës ka qenë gjithmonë Barcelona, ndërsa idhulli i tij mbetet Lionel Messi. Dashuria e Markut për futbollin ka filluar që në moshën pesëvjeçare. Që nga fëmijëria, ai ka qenë i lidhur ngushtë me këtë sport, aq sa dhurata e vetme që kërkonte gjithmonë nga familja apo të afërmit ishte një top futbolli, me të cilin kalonte orë të tëra duke luajtur.

Marku është pjesë e shkollës së futbollit “AS” që nga sezoni 2021-22 dhe prej fillimit ka treguar përkushtim e disiplinë të lartë gjatë seancave stërvitore. Ai i qaset çdo detyre me seriozitet dhe ndjek me kujdes udhëzimet e trajnerëve, duke dëshmuar pjekuri sportive përtej moshës së tij.

Në edicionin e fundit, ai ka qenë pjesë e grupmoshës U-11, ku ka luajtur kryesisht si qendërmbrojtës dhe mesfushor qendror, por me aftësi të spikatura edhe si mbrojtës i djathtë. Fiziku, qëndrueshmëria, shpejtësia, teknika dhe kreativiteti i tij e bëjnë të dallojë qartë nga bashkëmoshatarët.

Si kapiten i ekipit të SHF “AS”, Marku u shpall kampion i lidhjes rajonale të futbollit të Kosovës dhe njëkohësisht fitues i vendit të parë në turneun ndërkombëtar në Shqipëri. Në këtë turne, ai u vlerësua edhe si lojtari më i mirë i grupmoshës U-11. Përveç cilësive sportive, Marku veçohet edhe për kulturën e tij të lartë sportive, duke treguar respekt të vazhdueshëm për referët, bashkëlojtarët dhe kundërshtarët, gjë që e bën të admirohet si një lojtar i vërtetë Fair Play.

Një arritje tjetër e rëndësishme për të ishte pjesëmarrja në Barcelona Camp Kosovo, në maj 2025, ku tregoi talentin e tij përballë trajnerëve të klubit katalanas. Falë performancës mbresëlënëse, Marku u përzgjodh për të marrë pjesë në kampin prestigjioz “La Masia” në Barcelonë, një hap i madh drejt realizimit të ëndrrës së tij për t’u afirmuar në futbollin ndërkombëtar.

Nga edicioni i ardhshëm, Marku do të jetë pjesë e gjeneratës U-13, ku stafi trajnerësh pret prej tij që të vazhdojë me të njëjtin nivel përkushtimi dhe lidershipi. Karriera e tij shihet si shumë premtuese, me potencial të madh për të shkëlqyer edhe në arenën ndërkombëtare në të ardhmen.

Është kënaqësi dhe privilegj për çdo trajner e bashkëlojtar të kenë në skuadër një lojtar me cilësi, karakter dhe profesionalizëm si Marku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi se gati 70 profesione në…