LITARI
CHARLES BAUDELAIRE
Për Eduar Mane[1]
Iluzionet – më thoshte miku im – janë, ndoshta, po aq të panumërta sa dhe marrëdhëniet e njerëzve midis tyre, apo marrëdhëniet e njerëzve me objektet. Kur iluzioni zhduket, domethënë kur ne e shohim një qenie apo një fakt ashtu siç është në të vërtetë, të pavarur prej nesh, ndiejmë diçka të çuditshme, të ndërlikuar, një keqardhje për fantazmën e zhdukur, të përzier me një befasim të këndshëm përballë së resë, përballë faktit të vërtetë.
Në qoftë se ekziston një fenomen i vetëm i pakundërshtueshëm, banal, gjithmonë i njëjtë dhe për natyrën e të cilit nuk mund të gabohemi, ai është dashuria amtare. Është po aq e vështirë të përfytyrosh një nënë që nuk e do fëmijën e saj, sa ç’është e vështirë të përfytyrosh një rreze drite pa ngrohtësi. A nuk do të ishte atëherë krejtësisht e ligjshme që të gjitha veprimet, të gjitha fjalët e një nëne për fëmijën e saj t’i mvishen dashurisë amtare? E megjithatë dëgjojeni këtë ngjarje të vogël, në të cilën u gabova në mënyrë të veçantë nga iluzioni më i natyrshëm që ekziston.
Profesioni im i piktorit më shtyn të vështroj me vëmendje fytyrat dhe pamjet e njerëzve që ndesh në rrugë, dhe ju e dini fare mirë se çfarë lloj kënaqësie na jep kjo veti, e cila bën që jeta e parë nga këndvështrimi ynë të jetë më e gjallë dhe më kuptimplotë sesa për njerëzit e tjerë.
Në lagjen e humbur ku jetoj dhe ku hapësira të gjera me bar ndajnë ende ndërtesat nga njëra-tjetra, vëzhgoja shpesh një fëmijë i cili më tërhoqi që në fillim më shumë se të tjerët me pamjen e tij që shprehte gjallëri e zgjuarsi. Ai pozoi disa herë për mua, dhe unë e shndërrova herë në arixhi të vogël, herë në engjëll, herë në Erosin mitologjik. E bëra ta mbante violinën e endacakut, pishtarin e Erosit, kurorën e gjembave dhe gozhdët e Gjakimit të Krishtit[2]. Ai më jepte një kënaqësi aq të madhe me tipin e tij të qeshur, saqë një ditë iu luta prindërve të tij, që ishin njerëz të varfër, të kishin mirësinë ta lejonin të jetonte tek unë. U premtova se do ta vishja mirë, do t’i jepja pak para dhe se nuk do ta mundoja për gjë tjetër veçse t’i pastronte penelat e mi dhe ta bënte pazarin. Mbasi u la dhe u shpërla, ai dukej shumë i lezetshëm dhe jeta që bënte tek unë i ngjante si parajsë në krahasim me atë që do të kishte bërë te baraka e prindërve të tij. Vetëm se ky vogëlush më çuditi shpesh me disa kriza të veçanta të një trishtimi të parakohshëm dhe shfaqi menjëherë një shije të papërmbajtur për sheqerin dhe likerërat. Një ditë, pasi vura re që, me gjithë paralajmërimet e mia, ai kishte vjedhur diçka të kësaj natyre, e kërcënova se do ta ktheja te prindërit. Pastaj dola, dhe ndenja jashtë për një kohë të gjatë sepse kisha punë.
Çfarë lemerie dhe habie ndjeva kur, pasi hyra në shtëpi, gjëja e parë që më ra në sy ishte vogëlushi im, çapkëni shok i jetës sime, i varur te dollapi! Këmbët e ti pothuajse preknin dyshemenë; një karrige, të cilën ai me siguri e kishte shtyrë me këmbë, ishte rrëzuar pranë tij; koka i varej mbi shpatull duke u tundur; fytyra e mufatur dhe sytë e shqyer me një fiksim të frikshëm më sollën ndër mend iluzionet e jetës. Doja ta zbrisja, por nuk ishte dhe aq e lehtë sa mund të mendohet sepse trupi i tij ishte krejtësisht i ngurtë dhe kisha një neveritje të pashpjegueshme për ta rrëzuar përtokë menjëherë. Duhej pra, që me njërën dorë ta mbaja dhe me tjetrën të prisja litarin. Por edhe pasi e bëra këtë gjë, nuk e kisha mbaruar punën. Përbindëshi i vogël ishte varur me një litar spangoje të hollë që i kishte hyrë thellë në mish, dhe me një gërshërë të vogël duhej t’i prisja litarin që gjendej midis dy palave të mishit të ënjtur për t’i liruar qafën.
Harrova t’ju them se kërkova ndihmë me të madhe, por asnjë nga fqinjët e mi nuk pranoi të më ndihmonte, duke u qëndruar besnik zakoneve të njeriut të qytetëruar, i cili nuk e di se pse nuk dëshiron kurrë të përzihet te punët e tjetrit kur është fjala për një të varur. Më në fund erdhi një mjek, i cili deklaroi se fëmija kishte vdekur para disa orëve. Pak më vonë, kur na u desh ta zhvishnim për ta varrosur, kufoma ishte ngurtësuar aq shumë sa, duke pasur frikë se mos i thyenim gjymtyrët, na u desh t’ia grisnim dhe t’ia prisnim rrobat për t’ia hequr.
Komisari i policisë, të cilit natyrisht i deklarova aksidentin, i shtyrë me siguri nga një dëshirë e ngulitur në tru dhe nga një zakon i përfaqësuesve të shtetit për të frikësuar pa dallim, si të pafajshmit ashtu dhe fajtorët, më pa me inat dhe më tha: “Pak si e dyshimtë kjo punë!”
Më ngelej të kryeja një detyrë shumë të rëndësishme, e cila më shkaktonte një ankth të tmerrshëm kur e sillja ndër mend: Duhet t’i lajmëroja prindërit e fëmijës. Nuk më bënin këmbët të shkoja por, megjithatë, mora guximin. Për habinë time të madhe, e ëma nuk reagoi fare. Ajo nuk derdhi asnjë pikë loti nga cepi i syrit të saj. Mendova se kjo sjellje e çuditshme vinte nga tmerri që ndiente, dhe m’u kujtua një thënie e njohur që thotë: “Dhembjet më të tmerrshme janë dhembjet pa fjalë”.[3] Për sa i përket të atit, ai u mjaftua të më thoshte me një pamje gjysmë të trullosur e gjysmë ëndërrimtare: “Ndoshta më mirë që ndodhi kështu. Sidoqoftë, ai do të përfundonte keq”.
Ndërkaq trupi tij ishte shtrirë mbi divanin tim dhe, gjatë kohës që me ndihmën e një shërbëtoreje po merresha me përgatitjet e fundit, e ëma hyri në studio. Ajo donte ta shikonte kufomën e të birit. Unë nuk mund ta pengoja të ngopej me fatkeqësinë e saj dhe as nuk mund t’i hidhja poshtë këtë ngushëllim të zymtë dhe të tejlartë. Pastaj ajo m’u lut t’i tregoja vendin ku ishte varur djali i saj. “Ah! Jo! Zonjë – iu përgjigja, kjo gjë do t’ju shkaktojë shumë dhembje”. Dhe meqë sytë e mi u kthyen pa dashje drejt dollapit të përmotshëm, vura re, me një neveritje të përzier me tmerr dhe zemërim, se gozhda së bashku me një copë litari që varej ende, kishte qëndruar e ngulur në faqen e dollapit. U vërsula me vrull për t’i shkulur mbeturinat e fundit të fatkeqësisë, dhe kur po bëhesha gati t’i flakja jashtë nga dritarja e hapur, gruaja e shkretë më kapi prej krahu dhe me një zë të vajtuar më tha: “Ah! Zotëri! Ma jepni mua! Ju lutem! Ju përshpirtem!” Pata përshtypjen se dëshpërimi e kishte tronditur aq shumë, saqë tani ajo jepej me dhembshuri pas litarit që kishte shërbyer si mjet i vdekjes së djalit të saj, dhe donte ta ruante atë sikur të ishte një relikte e tmerrshme dhe e shtrenjtë. – Dhe ajo mori me vete gozhdën dhe spangon.
Më në fund! Më në fund! Gjithçka përfundoi. Nuk më ngelej gjë tjetër veçse t’i futesha punës akoma më me zell se zakonisht, për të harruar pak e nga pak këtë kufomë të vogël, e cila ishte shndërruar në një ide fikse në skutat e trurit tim, këtë fantazmë që më rraskapiste me sytë e saj të zgurdulluar. Por të nesërmen mora një tufë letrash: disa prej tyre prej qiraxhinjve të shtëpisë ku banoja, disa të tjera prej shtëpive përballë; një nga kati i parë; një tjetër nga kati i dytë; një tjetër nga kati i tretë, e kështu me radhë. Disa prej tyre shkruanin me një stil gjysmë humoristik sikur kërkonin të maskonin nën tonin e shakasë çiltërsinë e kërkesës; të tjerët shkruanin me gabime drejtshkrimi dhe ishin fare të pacipë, por të gjithë kishin të njëjtin qëllim, domethënë të përfitonin nga unë një copë nga vdjekjendjellësi dhe i lumturuari litar. Midis nënshkruesve kishte më shumë gra se burra; por të gjithë, më besoni, nuk u përkisnin klasave të ulëta dhe të rëndomta. I kam ruajtur të gjitha letrat.
Dhe atëherë papritur pata një shkëndijë në tru, dhe e kuptova pse e ëma donte aq shumë të më rrëmbente spangon dhe se me çfarë tregtie mendonte të ngushëllohej.
– Sigurisht! – iu përgjigja mikut tim. Litari i të varurit ishte një metër i gjatë. Një centimetër kushton dhjetë franga, pra gjithsej bëjnë një mijë franga, të cilat janë një ngushëllim i vërtetë dhe i dobishëm për këtë nënë të shkretë[4].
[1] Edouard Manet (1832-1883). Piktor francez, mik i ngushtë i autorit. Ai mbahet prej kritikëve si pararendës i rrymës impresioniste. Kjo poemë është frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë, e cila ka ndodhur në korrik të vitit 1859 me Aleksandrin, djaloshin që ka pozuar për tablonë “Fëmija me qershi” (L’enfant aux cerises) të Eduar Manesë.
[2] Sipas autorit, Aleksandri ka pozuar edhe për disa tablo të tjera të Manesë si “Muzikanti plak” (Le vieux musicien), “Krishti me engjëjt” (Christ aux anges), “Djaloshi me qen” (Le gamin au chien), gjë që nuk është vërtetuar prej kritikëve.
[3] Autori këtu i referohet veprës së Ygoit Punëtorët e detit (Les travailleurs de la mer).
[4] Ky paragraf u ndalua nga censura e kohës dhe nuk ekziston edhe sot në shumicën e botimeve të veprës.
Përktheu nga frëngjishtja: Roland Çipa. Marrë nga numri 25 i revistës “Akademia”



