Sunny Hill Festival 2026 zbulon programin e plotë: Prishtina bëhet gati për tri ditë muzikë botërore
Këtë verë, Prishtina do të presë një nga programet më të pasura muzikore në historinë e Sunny Hill Festival, me yje ndërkombëtarë, DJ të njohur botërorë, artistë shqiptarë dhe emra të rinj që po i japin formë skenës muzikore vendore. Sunny Hill Festival ka zbuluar zyrtarisht programin e plotë për edicionin e vitit 2026, i cili do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht në Sunny Hill Festival Park, në Prishtinë.
Me Katy Perry, Lewis Capaldi dhe Martin Garrix në krye të programit, edicioni i sivjetmë sjell në Kosovë disa nga emrat më të njohur të skenës muzikore ndërkombëtare. Publikimi i programit të plotë shënon një nga momentet më të pritura të verës për publikun në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
Në Sunny Hill Stage, festivali do të mirëpresë artistët kryesorë të këtij edicioni, përfshirë Katy Perry, Lewis Capaldi, Martin Garrix, Dhurata Dora, Blanco, Esdeekid, Tyson O’Brien dhe shumë emra të tjerë që do të sjellin energjinë kryesore të festivalit. Kjo skenë mbetet pika qendrore ku bashkohen yjet ndërkombëtarë, artistët më të njohur shqiptarë dhe mijëra adhurues të muzikës.
Ndërkohë, C4 Stage do të vazhdojë të jetë shtëpia e muzikës elektronike në Sunny Hill Festival, me performanca nga Seth Troxler, PAWSA, Adam Port & Rampa, Carlita, Salomé Le Chat, Tommy Gold, Gjin dhe Kamelia. Ky program e shndërron Prishtinën në një destinacion të rëndësishëm edhe për adhuruesit e muzikës house dhe techno, duke sjellë atmosferën e klubeve dhe festivaleve më të njohura ndërkombëtare.
Një vend të veçantë në edicionin e vitit 2026 do ta kenë edhe artistët vendorë dhe emrat në ngritje. Përmes skenave The Next Stage dhe The Satellite, festivali do të promovojë artistë si Asgjë Sikur Dielli, La Fazani, Sytë, Bana Zahiti, Erëza, Jolle, Rrezze, The Milk Snatchers, Anitë, Artssassin, Halfpint, Locky, Malix, Nautica, Sindicato Del Baile, Uran B dhe Us Two, duke dëshmuar mbështetjen e vazhdueshme për skenën muzikore lokale dhe rajonale.
Ky kombinim i emrave botërorë, artistëve shqiptarë, DJ-ve të njohur dhe talenteve të reja e bën edicionin 2026 një nga më të kompletuarit në historinë e Sunny Hill Festival. Publiku do të ketë mundësinë të përjetojë një program të larmishëm që bashkon zhanre të ndryshme muzikore dhe performanca të nivelit ndërkombëtar.
Me këtë program, Sunny Hill Festival vazhdon të forcojë pozitën e tij si një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në rajon. Për Prishtinën, festivali nuk është vetëm një aktivitet treditor, por një ngjarje me rëndësi kulturore dhe ekonomike që sjell mijëra vizitorë, artistë, media dhe vëmendje ndërkombëtare në kryeqytet.
Përtej muzikës, festivali vazhdon të ketë ndikim të rëndësishëm në gjallërimin e jetës urbane gjatë sezonit veror, duke kontribuar në sektorët e hotelerisë, gastronomisë, transportit dhe shërbimeve. Në të njëjtën kohë, ai luan një rol të rëndësishëm në promovimin e Kosovës si një destinacion modern, dinamik dhe gjithnjë e më i pranishëm në hartën kulturore të Evropës.
Me programin tashmë të kompletuar, Sunny Hill Festival 2026 hyn në fazën finale të përgatitjeve, ndërsa Prishtina bëhet gati të mirëpresë tri ditë të mbushura me muzikë, energji dhe performanca spektakolare nga emrat më të mëdhenj të skenës vendore dhe ndërkombëtare.



