Avokati Misetiq: ZPS-ja nuk ka prova se Thaçi hartonte komunikatat e UÇK-së

11 shkurt 2026 | 12:46

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka kundërshtuar pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke theksuar se nuk ekzistojnë prova që ai ka ushtruar funksionin e drejtorit të Drejtorisë Politike para periudhës së përmendur në aktakuzë.

Sipas mbrojtjes, ZPS-ja pretendon se Thaçi e drejtonte Drejtorinë Politike që nga qershori i vitit 1998, mirëpo nuk ka paraqitur asnjë provë që ai e ka ushtruar këtë funksion para kësaj periudhe.

“ZPS-ja pretendon që Thaçi drejtonte Drejtorinë Politike nga qershori i vitit 1998. Nuk ka asnjë provë që të ketë ushtruar funksionin e Drejtorit të Drejtorisë Politike përpara kësaj periudhe. Që kontrollonte politikat e UÇK-së asaj kohe dhe që drejtohej prej Thaçit. Nuhi Bytyçi që thuhej se ka qenë drejtor i Drejtorisë Politike në vitin 1998. Pretendim tjetër që prokuroria as nuk i bëri pyetje dëshmitarit. Vetë dëshmitari gjatë kundërpërgjigjeve tha se Thaçi nuk ka qenë Drejtor i Drejtorisë Politike deri në nëntor të vitit 1998. ZPS nuk e kontestoi dëshminë e tij ku pati mundësinë për të bërë pyetje shtesë”, ka thënë avokati Luka Mishetiq.

Më tutje, avokati i Thaçit ka thënë se prokuroria nuk ka sjellë prova që ai ka qenë figurë udhëheqëse në Lëvizjen Popullore të Kosovës, duke e cilësuar këtë si pretendim të pabazuar.

“ZPS-ja nuk guxonte t’i bënte pyetje Bislim Zyrapit sepse kishte frikë nga përgjigjet që do t’i merrte, kjo nuk është e drejtë për dëshmitarin dhe të akuzuarit. ZPS-ja nuk jep prova që Thaçi ka qenë figurë udhëheqëse në LPK dhe kjo thjesht është e pabazë. ZPS-ja pretendon se Thaçi ka mbikëqyrur shpërndarjen e informacioneve politike që të garantonte të ishin në favor të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së”, ka thënë Mishetiqi.

Gjithashtu, ai ka theksuar se nuk ka dëshmi që Thaçi ka hartuar komunikata politike të UÇK-së. Sipas mbrojtjes, ZPS ka cituar vetëm dy prova për të mbështetur këtë pretendim.

“Nuk ka asnjë informacion që Thaçi të ketë mbikëqyrur shpërndarjen e informacioneve të UÇK-së. Se ka pasur përfshirje në përgatitjen e deklaratave politike, asnjë dëshmitar nuk ka dhënë dëshmi për këtë lidhur me faktin që Thaçi të ketë hartuar komunikata politike. Në fakt, ZPS arrin të citojë vetëm dy prova për të mbështetur pretendimin e tyre që Thaçi ka pasur rol në përgatitjen e tyre”, ka thënë Misetiqi.

Në përfundim, Misetiq ka thënë mbrojtja ka argumentuar se edhe Rexhep Selimi ka pranuar se nuk ka pasur njohuri se kush i përpilonte komunikatat, duke e cilësuar këtë si dëshmi që rrëzon pretendimet e prokurorisë ndaj Thaçit.

“ZPS-ja nuk jep prova që Thaçi të ketë pasur rol në hartimin e deklaratave politike. Edhe sikur ZPS-ja të arrijë të tregojë një lidhje mes Thaçit dhe komunikatave, ajo nuk arrin të vërtetojë që ato kanë qenë një kontribut i konsiderueshëm në lidhje me krimet. ZPS-ja pretendon që Thaçi i shikonte oponentët si kërcënim dhe i paralajmëronte se do të ndëshkoheshin. Është e paqartë për ne si kjo pjesë mbështet pretendimin që Thaçi ka kërcënuar oponentët dhe nuk ka asnjë argument që lidhet me këtë pikë”.

“Rexhep Selimi i ka thënë ZPS-së se nuk ka pasur dijeni personalisht se kush i hartonte komunikatat e UÇK-së dhe thjesht ka hamendësuar, Thaçi nuk ka pasur asnjë mundësi të kontestojë dëshminë e Selimit”, ka thënë avokati Misetiq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Banori i shtëpisë më të madhe në vend, Labi ka…