Në prag zgjedhjesh, Vetëvendosje tenton bllokimin e KQZ-së?
Brenda pak ditësh, Lëvizja Vetëvendosje mund t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese, prej së cilës mund të kërkojë masë të përkohshme për një Dekret tjetër që gjatë javës së ardhshme pritet ta nënshkruajë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Një masë e përkohshme, e ngjashme me atë për bllokimin e Kuvendit të Kosovës deri më 31 mars, do ta bllokonte për disa muaj edhe funksionimin e KQZ-së.
Bëhet fjalë për dekretin për emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me të cilin, Osmani priet ta emërojë përbërjen e re të institucionit të zgjedhjeve sipas rezultateve të 28 dhjetorit.
Lënda e re e Lëvizjes Vetëvendosje mund të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese para datës 31 mars, kohë kur ky institucion pritet të tregojë se çfarë ka vendosur për Dekretin e Osmanit.
“Bllokimi” eventual i KQZ-së do të pamundësonte organizimin e zgjedhjeve edhe në rast se Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë presidentes Osmani për Dekretin e 6 marsit 2026, me anë të të cilit, shpërdau Kuvendin e Kosovës për shkak të dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës “30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.
Më 16 mars, Lëvizja Vetëvendsje i është përgjigjur ftesës së presidentes Osmani për të propozuar me shkrim personat për anëtarë të KQZ-së, por partia e kryeministrit, Albin Kurti, i ka dërguar asaj 3 propozime, nga 2 vende që i takojnë në këtë institucion.
Nëse Osmani do të miratojë propozimin e Vetëvendosjes, Dekreti i saj mund të sfidohet në Gjykatë Kushtetuese nga ndonjë prej partive tjera opozitare (LDK, PDK apo AAK), varësisht se cilës prej tyre nuk do t’i emërohet në KQZ përfaqësuesi i propozuar. PDK ka dërguar propozime për emërim të 2 anëtarëve, kurse LDK dhe AAK nga një.
Por, edhe në rastin tjetër, nëse Osmani do të veprojë si më 2021, Dekreti i saj mund të përfundojë nga LVV për interpretim në Kushtetuese.
Ditë më parë mediat kanë raportuar se propozimi “3 anëtarësh” i Vetëvendosjes është një “kurth kushtetuese” për Osmanin, për ta sfiduar atë drejtë shkeljes së Kushtetutës, sipas së cilës, LVV-së i takojnë 2 ulëse në KQZ, pavarësisht se në zgjedhje ka fituar gjysmën e përqindjes së votave (51.11%).
Në të njëjtën mënyrë, Osmani ishte sfiduar nga Vetëvendosje edhe pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, e cila kishte rezultatin pothuajse të njëjtë. Por, asokohe, Osmani i kishte emëruar vetëm 2 anëtarë nga kjo parti politike. /Demokracia.com/



