GJYKATA SPECIALE RACISTE DHE “TË DREJTAT E NJERIUT”
Opinioni në Kosovë dhe kudo ku jetojnë shqiptarët është i shqetësuar nga veprimet e fundit të Prokurorisë së Specializuar, e cila edhe pas afatit të përcaktuar me ligj po dërgon materiale në GJRS kundër të akuzuarve, duke ndërhyrë brutalisht në parimin e prezumimit të pafajësisë. Instrumentet e kësaj gjykate monstruoze, që maskohet si e Kosovës, përkatësisht Prokuroria e Specializuar, kanë filluar të bëjnë vlerësimin e pasurisë së Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, pa asnjë vendim të Gjykatës, në emër kinse të kompensimit të viktimave, ndërsa në realitet kjo paraqet presion të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e Gjykatës Speciale. Në rastin e Sali Mustafës, vlerësimi i pronës është bërë vetëm pas vendimit të formës së prerë, ndërsa në rastin e udhëheqësve kryesorë të luftës çlirimtare të Kosovës dhe të shtetit, kjo po bëhet për të ndikuar te GJRS, e cila ende nuk ka marrë asnjë vendim.
Qartazi, GJRS është në të njëjtën linjë me ZPS-në, gjë që zbeh, pamundëson dhe cenon të drejtën për një gjykim të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar nga politika ndërkombëtare, pushteti aktual në Kosovë, si dhe nga grupet e interesit. Kjo gjykatë monstruoze ka për qëllim rishkrimin e historisë dhe kriminalizimin e luftës çlirimtare, në bashkëpunim me Serbinë dhe mbetjet e saj, qofshin ato “kombëtare”, politike apo morale, nën patronatin e institucioneve aktuale në Kosovë.
KMDLNj është i shqetësuar për shkeljen e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria, të cilët po mbahen në Burgun e Hagës, të gjithë shqiptarë dhe shtetas të Kosovës, përmes mohimit të një gjykimi të pavarur dhe të drejtë. Ky monstrum juridik nuk i jep llogari askujt, nuk lejon monitorim të pavarur dhe nuk njeh transparencën dhe llogaridhënien. Ai sillet si një gjykatë tipike kolonialiste dhe abuzuese me drejtësinë. Duke pasur parasysh këto “fakte” të paraqitura nga prokuroria dhe Gjykata në Hagë, nuk është aspak e vështirë të parashihet vendimmarrja, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.



