Detajet e marrëveshjes ShBA – Iran fillojnë të dalin në pah
Një zgjatje e armëpushimit 60-ditor dhe rihapja e ngushticës së Hormuzit janë ndër ato që besohet se përfshihen, sipas portalit amerikan Axios.
Ende nuk është konfirmuar asnjë marrëveshje zyrtare.
Media iraniane raporton se ka ende “një ose dy” pika mosmarrëveshjeje në marrëveshjen e mundshme, shkruan “BBC”.
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, duke folur në një konferencë për shtyp në New Delhi më parë, tha se ishte bërë përparim “i rëndësishëm”, por “jo përfundimtar”.
Rubio gjithashtu sugjeroi se mund të dëgjojmë një njoftim tjetër nga presidenti i ShBA-së, Donald Trump më vonë sot.
Kjo vjen pasi Trumpi mbrëmë ka deklaruar se një marrëveshje me Iranin ishte “negociuar kryesisht”.
Presidenti i ShBA-së, ka thënë se ngushtica e Hormuzit do të përfshihej në një marrëveshje të mundshme, por nuk dha më shumë detaje.
Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve “Tasnim” e Iranit ka thënë se sipas kushteve të draftit të negociatave ShBA-Iran, ngushtica e Hormuzit “nuk do të kthehet” në statusin e para luftës, por shton se trafiku i anijeve do të kthehet në nivelet e mëparshme.



