Veprimtari Sali Bislimi: Vota për AAK-në është votë për të ardhmen euroatlantike dhe frymën e UÇK-së
Veprimtari Sali Bislimi ka bërë thirrje për mbështetje të kandidatëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke theksuar se vota për AAK-në është votë për stabilitetin, demokracinë dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.
Në odën e tij në Shtime, morën pjesë figura të njohura si Simon Veselaj, bashkëudhëtar i Anton Çettës, Dardan Krasniqi dhe shumë miq të tjerë, Bislimi tha se ata janë mbledhur për të mbështetur vëllanë e tij, Rame Bislimin.
Ai kujtoi traditën e odave shqiptare dhe netët e gjata kushtuar heronjve të kombit, duke vlerësuar sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.
“Vota për AAK-në, me Dardan Krasniqin numër 25 dhe Rame Bislimin numër 97, është votë që synon të ardhmen demokratike të vendit, stabilitetin, integrimin në NATO dhe forcimin e vlerave perëndimore në shtetin tonë”, ka deklaruar Bislimi.
Në mesazhin e tij, ai ka theksuar rëndësinë e mendimit, edukatës dhe angazhimit qytetar, duke paralajmëruar për rreziqet që, sipas tij, i vijnë Kosovës nga brenda dhe nga agjenda që i konsideron kundër interesave të shtetit.
Bislimi u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbështesin, siç është shprehur ai, “frymën e qëndresës që lindi nga UÇK-ja”, duke shtuar se patriotët e dëshmuar nuk duhet të lejojnë nënshtrimin e popullit për interesa të huaja.
“Bëhuni pjesë e lavdisë duke votuar frymën e qëndresës që lindi nga UÇK-ja. Popullin dardan e do Zoti, por një ditë duhet ta duam edhe ne”, ka përfunduar ai.



