KPM-ja po vepron në favor të ankesave të Vetëvendosjes
Juristja e mediave, Flutura Kusari, shprehu shqetësime për mënyrën se si Komisioni i Pavarur i Mediave po trajton ankesat, duke vlerësuar se praktika e deritanishme ngre pikëpyetje për paanshmërinë e këtij institucioni.
Ajo tha se një analizë që është duke u përgatitur mbi vendimet e KPM-së ka nxjerrë në pah një model të caktuar të vendimmarrjes.
“Do të doja të diskutojë standardet që KPM-ja i përdor kur përdoret gjuhë e tillë nëpër studio. Dhe përgjigja prej një analize të cilën po e bëjmë dhe që shpresojmë ta përfundojmë së shpejti, e që ka të bëjë me aspektin meritor të vendimeve të KPM-së, është që varet kush ankohet. Deri tani shumicën e vendimeve që kemi i analizuar, sa herë që Vetëvendosja është ankuar, KPM-ja e ka aprovuar atë ankesë dhe i ka gjobitur ose i saknsionuar me të holla mediat, ose me vërejtje”, tha ajo.
Sipas Kusarit, në disa raste janë iniciuar procedura ndaj mediave edhe kur nuk ka pasur kërkesë formale nga Lëvizja Vetëvendosje, por kur në debatet televizive janë bërë kritika ndaj kësaj partie.
“Po ashtu, pjesë tjetër e analizës është që në disa raste kur në studio televizive është kritikuar Lëvizja Vetëvendosje, por Vetëvendosja nuk ka bërë ankesë, KPM-ja është siguruar që ex officio, sipas detyrës zyrtare, të fillojë rast ndaj atyre mediave”, deklaroi juristja në Klan Kosova.
Ajo shtoi se ka dilema lidhur me rolin që po ushtron KPM-ja në raport me pluralizmin mediatik dhe lirinë e shprehjes.
“Unë nuk jam e sigurt, KMP-ja a është aty për ta ruajtur pluralizmin e mediave, të sigurohemi që ne kemi mjaftueshëm media, ose mediat që i kemi tani me pikëpamje të ndryshme, apo është një zyrë ligjore e cila monitoron në emër të Vetëvendosjes dhe shqipton sanksione në emër të Vetëvendosjes. Nganjëherë përshtypjen e kam që KPM-ja është duke vepruar si një zyrë ligjore për Lëvizjen Vetëvendosje, ose çka është edhe më keq, si një lloj gjykate”, tha ajo.



