Historiani Haskaj: Në vitin 2014 u nderuan juristët e shquar të Deçanit me çmimin “Sali Çekaj”

22 qershor 2026 | 22:52

Historiani Ismet Haskaj ka rikujtuar se në vitin 2013, Lidhja e Historianëve “Ali Hadri” – Dega në Deçan nisi iniciativën për themelimin e Çmimit Vjetor të Drejtësisë “Sali Çekaj”, me qëllim nderimin e juristëve të dalluar të Deçanit dhe ruajtjen e trashëgimisë së Heroit të Kosovës, Sali Çekaj.

Në një postim në ‘Facebook’, Haskaj theksoi se nisma gjeti mbështetje nga Hajredin Kuçi, në atë kohë ministër i Drejtësisë, si dhe nga eprorët dhe bashkëluftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veçanërisht të Brigadës 138 “Agim Ramadani”.

Ai rikujtoi se më 19 prill 2014, Ministria e Drejtësisë ndau për herë të parë Çmimin Vjetor të Drejtësisë “Sali Çekaj” për tetë juristë të shquar nga Deçani, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në zhvillimin e mendimit juridik, mbrojtjen e të drejtave qytetare dhe ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës.

Sipas Haskajt, të vlerësuarit ishin ish-anëtarë të Shoqatës së Juristëve të Pavarur të Kosovës – Dega në Deçan dhe ndër hartuesit e Statutit të Komunës së Deçanit sipas Kushtetutës së Kaçanikut. Ai e cilësoi këtë çmim si një vlerësim të rëndësishëm institucional për figurat që kanë lënë gjurmë në historinë juridike dhe shtetformuese të Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ismet Sylejmani Çdo njeri ka ditëlindje! Ajo është një datë…