Pacolli: Gjykata e Tiranës heq masat kufizuese ndaj VIA-s, synojmë hapjen sa më të shpejtë të aeroportit
Biznesmeni Behgjet Pacolli ka njoftuar se Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka vendosur të heqë masat kufizuese që, sipas tij, ishin vendosur në mënyrë të paligjshme ndaj administrimit të shoqërisë VIA.
Në një postim në ‘Facebook’, Pacolli tha se gjykata zëvendësoi masën e sigurimit të datës 5 qershor 2026, duke hequr çdo kufizim për administrimin e shoqërisë nga ortaku mazhoritar, MABCO.
Ai shtoi se gjatë arsyetimit të vendimit, gjykata iu referua edhe vendimit të mëparshëm të Gjykatës së Lartë, i cili, sipas tij, i kishte rikthyer MABCO-s të drejtën për administrimin e shoqërisë.
Pacolli pretendon se masat e mëparshme kishin bllokuar mbajtjen e Asamblesë së VIA-s dhe kishin shkaktuar dëme të konsiderueshme, duke përfshirë edhe vonesat në punimet për aeroportin.
Reagimi i plotë i Pacollit:
Një tjetër vendim i drejtësisë u mor sot nga Gjykata e Tiranës, e cila hoqi masat kufizuese të vendosura në mënyrë të paligjshme nga gjyqtarja Miranda Nakaj përsa i përket administrimit të shoqërisë VIA.
Gjyqtarja Nakaj është kallëzuar në SPAK për vendime që, sipas pretendimeve, janë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Lartë.
Pikërisht përmes asaj mase të kundërligjshme u bllokua mbajtja e Asamblesë së VIA-s, e paraparë për datën 06.06.2026 për ndryshimin e administratorit. Si pasojë, u vijua paligjshmëria dhe shkaktimi i dëmeve të konsiderueshme të vendosura prej Tetorit të vitit 2025, të cilat kulmuan me bllokimin e hyrjeve në Aeroport për muaj të tërë, duke privuar nënkontraktorët e Mabcos nga e drejta e tyre për të punuar për kryerjen e punëve të projektit dhe përfundimin e punimeve.
Jam falënderues sot ndaj Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila cilësoi si të marrë në kundërshtim me ligjin vendimin e gjyqtares Nakaj dhe vendosi zëvendësimin e masës së sigurimit të datës 05.06.2026, duke hequr çdo kufizim për sa i përket administrimit të shoqërisë VIA nga ortaku mazhoritar.
Në deklaratën e saj sot, gjatë shpalljes së vendimit, Gjykata u bazua edhe te arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Lartë, i cili i kishte rikthyer ortakut mazhoritar ( MABCO) të drejtën për të administruar shoqërinë dhe për të ushtruar të drejtat që burojnë nga kuota e tij.
Ky është një vendim tjetër që dëshmon në mënyrë të qartë, përmes fakteve dhe grupfakteve tashmë të provuara, se të gjitha masat e sigurimit të vendosura më parë ndaj Mabco kanë qenë të paligjshme. Siç deklarojnë gjykatat, këto masa të paligjshme janë përpjekur të neutralizojnë Mabco-n në hapjen e aeroportit.
Nga sot, asnjë masë apo vendim gjyqësor nuk ka më fuqi kundër shoqërisë sonë.
Ne duam të angazhohemi sa më parë për të hapur aeroportin, për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Një falënderim i veçantë për ekipin ligjor Halimi & Ahmetaj që na ka qëndruar pranë mua dhe familjes sime, si dhe për këtë fitore të merituar ditën e sotme.
Ne u bëjmë sërish apel të gjitha institucioneve publike, përfshirë Ministrinë, Avokaturën dhe Policinë, të ndërmarrin të gjitha masat në zbatim të vendimeve të gjykatave, me qëllimin e vetëm: garantimin e aksesit në kantier të shoqërisë Mabco, punonjësve, nënkontraktorëve dhe mjeteve të punës, si dhe përfundimin sa më parë të këtij projekti me interes publik.



