Gjini kërkon heqjen e Testit të Arritshmërisë: Streson nxënësit dhe nuk jep rezultate reale

07 korrik 2026 | 15:30

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kërkuar heqjen e Testit të Arritshmërisë, duke vlerësuar se ai ka dështuar ta përmbushë qëllimin për të cilin është krijuar dhe nuk ofron një pasqyrë reale të cilësisë së arsimit në vend.

Përmes një postimi në “Facebook”, Gjini ka thënë se Testi i Arritshmërisë është konceptuar si instrument për të matur performancën e sistemit arsimor, e jo për t’i testuar individualisht nxënësit.

Sipas tij, mënyra se si zhvillohet testi prej vitesh vetëm sa rrit presionin mbi nxënësit dhe prindërit, duke krijuar një situatë të padrejtë mes atyre që përgatiten dhe respektojnë rregullat dhe atyre që arrijnë rezultate përmes kopjimit.

“Testi po dështon tash e sa vite, sepse është mekanizëm që streson fëmijët dhe prindërit, i streson ata nxënës që dinë dhe nuk kopjojnë, ndërsa në të njëjtën kohë i faktorizon ata që nuk dinë dhe kopjojnë”, ka shkruar Gjini.

Ai ka theksuar se testi nuk prodhon rezultate reale për nivelin e dijes dhe cilësinë e arsimit, por krijon statistika të pasakta.

“Ky test është falsifikim i plotë”, ka shkruar ai.

Gjini ka përmendur edhe rezultatet e këtij viti, duke theksuar se shkalla e arritshmërisë ka rënë në 48.35 për qind, çka sipas tij dëshmon se ky mekanizëm nuk po e përmbush funksionin e tij.

Në përfundim, kryetari i Aleancës ka kërkuar që Testi i Arritshmërisë të hiqet sa më shpejt dhe të zëvendësohet me forma të tjera vlerësimi që matin në mënyrë më të besueshme cilësinë e sistemit arsimor.

“Ky test duhet të hiqet krejt, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të mos përsëritet më, sepse nuk prodhon asnjë rezultat pozitiv”, ka përfunduar Gjini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester City po përgatitet të bëjë një nga transferimet më…