Hamza pret në takim eurodeputetin Terras: Kosovës i duhen institucione funksionale dhe rikthimi i besimit të partnerëve

07 korrik 2026 | 13:33

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka pritur në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Riho Terras.

Gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet politike në vend, procesin e integrimit evropian dhe domosdoshmërinë e tejkalimit të ngërçit institucional.

Hamza e ka falënderuar Terrasin për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe për raportin e fundit të Parlamentit Evropian për Kosovën, duke vlerësuar konfirmimin se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, si dhe mbështetjen për aplikimin e vendit për anëtarësim.

Hamza dhe Terras kanë vlerësuar se raporti i Parlamentit Evropian përbën një mesazh të rëndësishëm mbështetjeje për Kosovën, por njëkohësisht edhe një thirrje që vendi të mos humbasë më kohë për shkak të krizave të brendshme politike dhe vonesave në funksionalizimin e institucioneve.

Kryetari i PDK-së ka theksuar se partia që ai drejton ndan shqetësimin e shprehur në raport lidhur me pamundësinë e krijimit të institucioneve plotësisht funksionale për një periudhë të gjatë.

Ai ka nënvizuar se Kosovës i nevojiten institucione funksionale që marrin vendime, zbatojnë reforma dhe rindërtojnë besimin me partnerët ndërkombëtarë.

“Stabiliteti nuk duhet të nënkuptojë vetëm formimin e institucioneve, por edhe qeverisjen demokratike, dialogun politik dhe respektimin e Kushtetutës”, ka deklaruar Hamza.

Në fund të takimit, Hamza ka shprehur mirënjohjen për rolin e eurodeputetit Riho Terras dhe të Parlamentit Evropian si mbështetës të fuqishëm të Kosovës dhe të aspiratave të saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhevat Xh. Latifi  1. Kultura si mburojë e identitetit në…