Zafir Berisha kujton betejën e 7 korrikut të vitit 1998

07 korrik 2026 | 14:36

’Para 28 vitesh, më 7 korrik 1998!

Gjatë një aksioni që kishim ndërmarrë jashtë zonës së lirë të UÇK-së, së bashku me Lumni Berishën – Hanci dhe Besmir Shalën, ramë në një pritë të forcave serbe, të udhëhequra nga komandanti i policisë serbe në Prizren, Shekiq.

Në kohën kur zhvilloheshin luftimet, ndërsa unë me një numër të vogël luftëtarësh ndodhesha në vijën e parë të frontit, në krahun e djathtë të vijës së frontit (Përpanikë) kishte mbërritur Agim Shala me luftëtarë nga Jeshkova, ndërsa në prapavijë kishte ardhur Xhevat Berisha, Bislim Zyrapi me shokë nga Sh.L i UÇK-së.

Pas disa orësh luftimesh të ashpra në vendin e quajtur “Laku i Billushës”, forcat okupuese serbe pasi pësuan humbje dhe u thyen në përballje me forcat e UÇK-së, u detyruan të tërhiqeshin nga kishin ardhur.

Luftimet e 7 korrikut ishin kushtrim për mobilizimin e shumë djem e vajza të Komunës së Prizrenit, të cilët iu bashkuan radhëve të UÇK-së.

Lufta për liri vazhdoj, ku u zhvilluan beteja të shumta në Rajonin e Vërrinit, si në Tusuz, Lez, Jeshkovë, Hoqë të Qytetit, Billushë, Arbëri, Poslishtë, Malësi të Vërrinit e Kushëndill, si dhe në shumë aksione të tjera luftarake që vazhduan pa u ndalur deri në çlirimin e Kosovës.

Edhe pas 7 korrikut, forcat serbe me ndihmën e kolaboracionistëve ( spijunëve) angazhuan njësitet e tyre elitare me synimin që me çdo kusht të më likuidonin, duke ngritur kurthe e prita të shumta.

Të gjitha këto përpjekje dështuan.

Lufta për lirinë e Kosovës vazhdoi me beteja në Prizren dhe në mbarë vendin deri më 12 qershor 1999, kur Kosova u çlirua dhe mori fund sundimi serb.

Në këtë përvjetor përulem me nderim para të gjithë bashkëluftëtarëve që luftuan me guxim për lirinë e atdheut.

Me respekt të veçantë kujtoj dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës, të cilët me sakrificën e tyre e bënë të mundur lirinë që gëzojmë sot.

Lavdi e përjetshme!

P.S. Me mirënjohje kujtoj edhe gazetarët Qazim Thaçi, Agron Shporta dhe Asllan Bekteshi, si dhe aktivistin e ndjerë të KMDLNj-së, Masar Shala me bashkëpunëtorët e tij, që patën guximin të vijnë në vendin ku u zhvilluan luftimet.

Prania dhe raportimet e tyre i dhanë jehonën e merituar kësaj beteje dhe dokumentuan një nga fitoret e para dhe të rëndësishme të UÇK-së në komunën e Prizrenit”, ka shkruar ish luftëtari i UÇK-së, Zafir Berisha – Zafa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Publikimi i Shtëpisë Bazë të UÇK-së në Stubëll…