Policia arreston 15 persona dhe mbyll 19 lokale gjatë aksionit kundër trafikimit dhe prostitucionit

08 korrik 2026 | 14:14

Policia e Kosovës ka arrestuar 15 persona dhe ka mbyllur 19 lokale gjatë zbatimit të Planit Operativ “Ditët e veprimit të përbashkët – JAD Global Chain 2026 – Qershor 2026”, i realizuar në bashkëpunim me EUROPOL-in, INTERPOL-in, FRONTEX-in dhe institucione të tjera vendore. Sipas njoftimit të policisë, operacioni është zhvilluar nga 8 deri më 12 qershor 2026 dhe ka përfshirë kontrolle në qendra masazhi, lokale të muzikës “live”, si dhe zbatimin e një plani taktik lidhur me eskortat.

Gjatë aksionit janë inspektuar 59 lokale të muzikës “live” dhe 62 qendra masazhi në të gjithë territorin e Kosovës. Në lokalet e muzikës “live” janë identifikuar gjithsej 420 persona, prej të cilëve 317 gra dhe 103 burra. Nga ky numër, 186 persona ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 234 shtetas të huaj, kryesisht nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.

Ndërkohë, në 62 qendrat e masazhit janë hasur 104 persona, prej të cilëve 89 gra dhe 15 burra. Sipas Policisë, 60 prej tyre ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 44 shtetas të huaj nga Shqipëria, Tajlanda, Filipinet dhe Malavia.

Për shkak të shkeljeve administrative, inspektorët kanë mbyllur nëntë lokale të muzikës live dhe dhjetë qendra masazhi, ndërsa gjashtë lokale të muzikës live janë gjetur të mbyllura në momentin e inspektimit.

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë këtij operacioni nuk është identifikuar asnjë rast i veprës penale “Trafikim me njerëz”. “Gjatë realizimit të këtij plani nuk është identifikuar ndonjë rast i veprës penale ‘Trafikim me njerëz’”, ka njoftuar policia.

Në kuadër të operacionit janë evidentuar shtatë raste të dyshuara për veprën penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”. Për këto raste janë arrestuar shtatë gra, katër prej tyre shtetase të Shqipërisë, një shtetase e Malit të Zi dhe dy shtetase të Kosovës, të cilat dyshohet se kërkonin lëmoshë në rrugë së bashku me fëmijët e tyre.

Trembëdhjetë fëmijë janë trajtuar në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale.

Po ashtu, policia ka evidentuar katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion” në kuadër të planit për eskortat.

Në këto raste janë arrestuar tetë persona, katër shtetas të Kosovës dhe katër shtetase të huaja, përkatësisht dy nga Brazili dhe dy nga Kolumbia.

Sipas policisë, të gjitha gratë e hasura duke punuar në lokalet e muzikës “live”, qendrat e masazhit dhe në aktivitetet e eskortës janë intervistuar dhe u është ofruar mundësia që të deklarojnë nëse kanë qenë viktima të ndonjë forme të shfrytëzimit.

“Të gjitha punëtoreve të hasura duke punuar në lokalet e muzikës, qendrat e masazhit dhe në eskorta u është dhënë mundësia e deklarimit nëse ndonjëra prej tyre është viktimë e ndonjë forme të shfrytëzimit (trafikimit), mirëpo nuk ka rezultuar me asnjë rast”, ka njoftuar policia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zlatko Daliq më nuk është selektor i Kombëtares së Kroacisë.…