Drejtori i Policisë së Shqipërisë tregon pse u kthyen mbrapsht deputetët e VLEN: Një person me ta kishte probleme me ligjin
Ish-këshilltari i Albin Kurtit dhe tashmë deputeti, Bekim Qoku, bashkë me disa zyrtarë të tjerë të VLEN-it nga Maqedonia e Veriut, u panë duke mos u lejuar të hynin në Republikën e Shqipërisë, ndërsa u tha se Rama ua ndaloi hyrjen për shkak të pjesëmarrjes në protestën që po zhvillohet në Tiranë, e cila tashmë ka marrë ngjyrime politike.
Mirëpo diçka tjetër ka deklaruar Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili foli para mediave, duke thënë se në kufirin e Qafë Thanës, të merkurën janë paraqitur katër shetas të Maqedonisë së Veriut, ndërsa tre prej tyre kishin pasaporta diplomatike, mirëpo personi i katërt që ishte me ta nuk u leju të vazhdonte udhëtimin drejt Republikës së Shqipërisë, sepse kishte pengesa të ligjshme.
Dhe si rrjedhojë, tre zyrtarët e tjerë, të cilët ishin deputetë të partisë VLEN, me vetëdëshirë nuk e kanë vazhduar udhëtimin dhe janë kthyer në Maqedoninë e Veriut.
“Dje në pikën kufitare të Qafë Thanës janë paraqitur katër shtetas për të kaluar kufi. Tre dispononin edhe pasaporta diplomatike dhe u bë me dije që ata mund të vazhdojnë udhëtimin, por një person me ata, i cili kishte pengesa të ligjshme në kufi nuk ka mundur të udhëtojë drejt Republikës së Shqipërisë. Në këtë kuadër të katër personave nuk kanë pranuar që të vazhdojnë udhëtimin dhe janë kthyer për në Maqedoninë e Veriut. Prandaj nuk është rast që është i veçuar. Kjo është puna e policisë kufitare. Gjatë vitit 2025 kemi kthyer dhe persona të tjerë, me 625 raste. Edhe gjatë gjashtë mujorit të parë kemi të evidentuar dhe të kthyer persona në 425 raste të tjera. Kështu që kjo është një punë e përditshme dhe nuk ka një vend për panik apo thuash që policia nuk ka qenë prezent dhe për të kryer detyrën e saj”, tha Hita.



