FJALA E ALI AHMETIT NË STRUGË

09 korrik 2026 | 20:44

Të nderuar vëllezër e motra,
Të dashur delegatë të Kuvendit të Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim Strugë,
Të dashur anëtarë të sapozgjedhur të Kryesisë së Degës,
Komitet i Veteranëve,
Këshilli Mbikëqyrës dhe sekretarë të sekretariateve të Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim Strugë!

Të dashur bashkëveprimtarë,
bashkëdrejtues,
invalidë lufte,
familje të dëshmorëve!

E nderuara Vlora Nazari, bashkëshortja e bashkëluftëtarit tim, njërit nga të paepurit në dy lufta, tri lufta… E nderuara Arbëreshë…
Dokumentari filloi me një apel: “Duam paqe, duam laps, laps duam, s’duam luftë.”

Paqja është rrugëtimi i vetëm.
Kështu e filloi Fadil Sulejmani protestën – kërkesë, për universitet në gjuhën shqipe.
Dhe kjo më solli dhe më ktheu 23 vite më herët.

Po bisedoja me një udhëheqës të lartë të komunitetit maqedonas, dhe më thotë: “Zoti Ahmeti…”

Thashë: “Urdhëro. Maqedonasit kurrë s’ta harrojnë ty.”

Me thënë të drejtën, më befasoi udhëheqës shumë i lartë.
I them: “Prej nga e nxore këtë konkluzion?”

Tha: “Para dy netësh isha në dasmë në Ohër te një miku im, kur sekretarja e kabinetit tim i piu dy gota raki dhe hypi në majë të karriges: ‘Dobar shqiptar, mrtov shqiptar! Shqiptari i vdekur, shqiptari i mirë!'”

Thashë: “A ka mundësi akoma shpjegime të më bëni?” Tha po!

Shqiptarët kërkuan fletore e libra, unë dëgjova këshilltarët, dhe këshilltarët më udhëzuan: ‘Jemi të fortë, bjeru, mëshohu!’

Po vazhdojmë.

Shqiptarët dolën, demonstruan, kërkonin një flamur kombëtar të cilin e kishin pasur në kohët e Jugosllavisë, përsëri unë dëgjova këshilltarët: ‘Të fortë jemi, shtet, mëshohu!’
Unë u mëshova.

Shkurt 2001, mëngjes, me të gdhirë, tërë radiostacionet: luftë!

Dhe ne, ata më trimat që ishin, krejt nëpër podrume hynë.
Krenarinë na e ke thyer, s’kemi krenari.”

Unë, për një çast, edhe mund t’i kuptoj.

Nga kjo e kaluar edhe ata, edhe ne duhet të nxjerrim mësime.

Ata nuk duhet të mendojnë se si ne të na thyejnë krenarinë që ne e arritëm, por ishim të detyruar që të organizojmë rezistencë, të organizojmë luftën, sepse shqiptarët i shteruan të gjitha mënyrat dhe kërkesat në rrugë institucionale, parlamentare.
Por ishte Stojan Andovi, kryetari i Kuvendit, kur shqiptarët kërkuan ndryshimin e Kushtetutës, ai i mëshoi Kushtetutës me gisht, me pëllëmbë të dorës, dhe tha: “Kjo ndryshohet vetëm me pushkë.” Dhe pushkën e gjeti!

Ne luftën nuk e kemi dashur, kemi qenë të detyruar që me armë të fitojmë statusin politik dhe juridik, dhe jo qiraxhinj në tokën tonë, në tapinë tonë, argatë të tjetërkujt.

Sigurisht që këta i ka munduar shumë se shqiptarët po u marrin shtetin.

Shqiptarët nuk marrin shtet të huaj, shqiptarët qeverisin me shtetin e vet.

Ne nuk jemi të dyndur e të ardhur prej gjetiu, denbabaden këtu kemi qenë.

Se të tjerët na e kanë rrudhur e gërryer pjesën më të madhe të hapësirave tona, me aleanca ballkanike e evropiane, pjesët më të mira ia kanë shkëputur Shqipërisë, fillo: Rrafshin e Dukagjinit, të Kosovës, Rrafshin e Vardarit, Pollogut, Pellagonisë, Malësinë e Madhe…

Të kanë lënë me 28,000 km katrorë.

Por ne nuk thirremi më në padrejtësitë historike që ne na janë bërë, sepse me rastin e luftës së Kosovës një pjesë e historisë është korrigjuar me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Evropës dhe të NATO-s, me mbështetjen që këto institucione i dhanë luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, dhe arritëm tek Marrëveshja e Ohrit – është korrigjuar një pjesë bukur e madhe e historisë.

Dhe unë nuk kam përtuar fare të ul autoritetet maqedonase dhe t’u them: “Mbani kujdes, sepse unë po takoj njerëzit nga Struga, Prespa, deri në Kumanovë e Likovë.

Në çdo takim, njëri në emër të komunitetit, ngrihet dhe më thotë: ‘Ali Ahmeti, dil në mediume, pyeti maqedonasit a duan të jetojnë me ne bashkë apo s’duan?'”

Kjo është një e vërtetë e madhe dhe për mua paraqiste shqetësim, dhe këtë shqetësim autoriteteve, përfshirë këtu kryeministrin dhe partitë opozitare, i kam ulur në tavolinë t’ua them, një të vërtetë të shqiptarëve.

Sepse shqiptarët nuk mund të durojnë t’ua gërryesh marrëveshjen të cilën e kanë arritur me gjak, t’ua heqësh gjuhën, përfaqësimin e drejtë, të kontestosh historinë e tyre, të ngushtosh të arriturat.

Dhe tash këtu, në këtë kuvend, as Fatoni, po as kërkush nuk mund t’i paraqesë të arriturat e shqiptarëve për një çerek shekulli, po me një fjalë kjo përmbyllet Faton.

Çdo e arritur, nga flamuri, universitetet, tek gjuha e përfaqësimi në polici e në ushtri, ka vulën e Bashkimit Demokratik, vulën – fillo para prej veteranëve që u angazhuan në jetën politike, por ama vula në brendësi është e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Ne duam që në këtë vend të funksionojë paqja, stabiliteti, siguria, marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, mbi të gjitha marrëdhënie të mira ndëretnike.
Partitë maqedonase pak kanë punuar që të sqarojnë komunitetin e tyre mbi ndryshimin e statusit politik që përmban Kushtetuta e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut: se shqiptarët janë element shtetformues, se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, se përfaqësimi i drejtë është njëra nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit.
Këtë marrëveshje e garanton Uashingtoni – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Brukseli – Bashkimi Evropian (dy përfaqësues kanë pasur, zoti Pardju dhe zoti Leotar, në emër të Evropës zoti Pardju, në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës), dhe garant është NATO në krye me sekretarin e përgjithshëm, zotin Robertson.

Dhe ne u kemi besuar këtyre qendrave ndërkombëtare që ishin dhe mbeten liderë të demokracisë, dhe marrëveshja, kontrata, kontrata është mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Por partitë politike maqedonase fare s’kanë punuar, dhe më ka rënë në vesh se: “Do t’u hakmerremi shqiptarëve”, nga autoritete goxha të larta maqedonase.
Ç’do të thotë hakmarrje?

Ç’do të thotë sërish: “Maqedonia e juaja”?
Me këtë moto ka fituar zgjedhjet VMRO-ja.
Po hajde dalim edhe ne e të thonë: “Po edhe kjo është pjesë e jona dhe nuk tërhiqemi asnjë milimetër!”

Në këtë vend duhet të funksionojë dialogu shqiptaro-maqedonas, kompromisi shqiptaro-maqedonas, se përndryshe unë nuk e di a e shohin që bota po zien.

Unë nuk e di a e shohin që Evropa është në luftë, unë nuk e di a e shohin që po digjet Lindja e Mesme, unë nuk e di a e shohin që Rusia kërcënon Finlandën që do të jetë toka e parë që do të bëhet… do të hidhet bomba atomike.

Dhe nuk e thotë… nuk e thotë këtë një qytetar i rëndomtë i Rusisë, këtë e thotë Putini, këtë e thotë Medvedevi.
Unë nuk e di a i shohin këto gjëra.
Si ne nuk mund të punojmë që t’i afrojmë dy komunitetet më të mëdha, shqiptarët dhe maqedonasit?
Kur them Evropa është në luftë, a e shihni sa dronë fluturojnë mbi Bruksel, mbi Bukuresht, në Çeki, Poloni?
Këto janë eksperimente që bën Rusia.
Rusia do të kthejë perandorinë, perandorinë ruse, dhe ne këtu shkojmë dhe prekim në gjërat që janë mbyllur tash e 25 vjet më parë.
Po, sigurisht që po preken në Marrëveshjen e Ohrit, po preken në gjuhë, po preken në përfaqësim, sigurisht shqiptarët irritohen.
Po edhe një punë duhet ta dinë, që më shqiptarët nuk janë të para 2001-shit, s’janë ata shqiptarë.

Nuk pranojnë ta ulin kurrizin shqiptarët e sotshëm, të rinjtë, të cilët janë edukuar në frymë e në vizion të pastër shqiptar dhe integrues, s’ka kthim mbas!

Uroj që të mbledhin mend partitë politike maqedonase, po, të mos prekin aty ku s’preket, se po preke dhe gërvishte mbi plagë të vjetra… plagët e vjetra po i gërvishte dhembin më shumë sesa plaga që hapet rishtas.
Ne i kemi larë me gjak si gjuhë, si flamur, si përfaqësim, si identitet e dinjitet, dhe mos na prekin në dinjitet, mos na prekin në gjuhë e flamur, se nuk është puna mirë.
Në këto situata, me kaq turbullira, me kaq luftra, të nxitësh përplasje të reja nuk është mirë, por edhe një ta dinë: ne s’na dridhet qerpiku!

Ne i thërrasim: urdhëroni, rruga për të ecur përpara është paqja, është stabiliteti, është anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian.

Po zgjodhën rrugë tjetër, as qerpiku na dridhet, as nuk i trembemi, por ne duam paqen, ne duam stabilitetin, nuk duam revansh e revanshizëm, duam paqe, ardhmëri, ekonomi të zhvilluar, arsim të zhvilluar, teknika të zhvilluara.

Kemi ekipe, kemi specialistë të të gjitha fushave t’i vëmë në funksion.

Ne duam bashkëjetesë, po bashkëjetesë jo si qiraxhinj, por zotërinj në shtëpinë tonë!

Të uroj ty, Faton, të gjithë ekipit të cilët u zgjodhët, ju uroj grupeve të punës që drejtuat me shumë sukses këtë kuvend të degës.
24 orë Dega juaj ka qasje në institucionet drejtuese të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Faleminderit shumë, suksese dhe fitore të përhershme, të përjetshme!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se…