FJALA E ALI AHMETIT NË TEARCË

09 korrik 2026 | 21:46

Të dashur delegatë e delegate,
Fillimisht do të doja t’ju uroj punë të mbarë, shëndet e suksese, edhe të dalë faqebardhë Bujari me të tërë kryesinë e posazgjedhur nga ky kuvend!

Ju uroj për punën e mirë që bënë grupet e punës në drejtim të këtij kuvendi.

Këtu bashkë me mua janë nënkryetarë, sekretarë, po edhe kryetarë të degëve, të pranishëm në këtë kuvend të degës së Tearcës, që janë në mbështetje morale për punën që bëhet e që do të bëhet në të ardhmen.

Në veçanti dua të përgëzoj dhe t’i uroj Komitetin e Veteranëve, që janë gurëthemeli dhe orteku fillestar i një çerek shekulli veprimtarie, duke filluar prej Agim Xhelilit, që është i pranishëm edhe në kuvend, Shaban Mehmetit, Agim Nuhiut, Nuri Bexhetit, dhe shumë shokë e bashkëveprimtarë kanë marrë mundin – Adem Fazliu ka ardhur në këtë kuvend, 25 vjet, një çerek shekulli nuk na është ndarë.

Faleminderit Adem Fazliut!

Luli vazhdon të jetë i palodhshëm, të uroj shëndet ty!

Faton, dua të bëj një debat polemikë me ty.

I pyete këta të VLEN-it se çfarë kanë bërë.

Kanë bërë, mirëpo nuk i kanë bërë ata që kanë premtuar, dhe kjo ishte kumtesa zyrtare që e dhanë kur i pyetën gazetarët, opinionistët, dhe ua numëruan 26 premtime që i kanë pasur në programin e tyre elektoral dhe u thanë që nga 26 asnjë s’keni realizuar.

Ata patën përgjigje.

T’i thoshe s’kanë përgjigje?

Ata kishin përgjigje: “Jo, se i kemi nja 20 të tjera, po ju nuk i dini ato 20 të tjera.”

Dhe ne kemi mbetur, jemi bërë arkivistë duke gjurmuar se kush janë ato 20 premtimet që ata i kanë bërë.

Vëllezër e motra,

Të gjithë duhet të dakordohemi: nuk duhet ne si shqiptarë, të punojmë kundër shqiptarëve.
Nuk duhet ne me dorën tonë të vetëvrasim vetveten.

Të huajt përherë na kanë sunduar sepse kanë gjetur vegla ndër shqiptarët.

Gabon, gabon VMRO-ja, gabon LSDM-ja që përpiqen të rekrutojnë vazalë e argatë tek shqiptarët.

Nuk ndërtohet shtet me vazalë!
Dhe nuk e di, jam duke e përsëritur për çdo ditë: me vazalë u përpoq Jugosllavia të mbijetojë si shtet, e nuk mbijetoi.

Dhe atë vazalë nga Sllovenia deri në Maqedoni…

Këta këtu të Maqedonisë ishin vazalë e argatë të përkushtuar në Beograd, ndihmonin sa mundeshin, mirëpo populli ndryshe mendonte, nuk mendonte si ata vazalët.

Kështu që na mbetet detyrë e të gjithë neve të punojmë me çdo shqiptar që të mos bëhemi argatë të të huajve, mos të shesim interesat tona kombëtare, të fituara me gjak i kemi ne.

Ne nuk na ka dhënë dhuratë kush!

Këtu ke ushtarë që kanë plagë akoma të pashëruara këtu në sallë, ke familje që kanë humbur luftëtarë, po, ke të burgosur politikë që i kanë sakatuar e dërmuar nga Gjevgjelia deri në Jesenicë.

Si harrohen të gjitha këto vuajtje, i tërë ky terror që është ushtruar mbi popullin tonë, dhe me kaq lehtësi ne të heqim dorë nga një e drejtë e fituar me gjak, gjuha jonë shqipe?

Me kaq lehtësi ne të heqim dorë nga përfaqësimi i shqiptarëve, në vend që maqedonasit t’i gëzohen përfaqësimit tonë – dhe duhet t’i gëzohen nëse janë të mençur.

Se ky shtet, me pjesëmarrjen e shqiptarëve, bëhet më i fortë, më i qëndrueshëm, më i pranueshëm.

Pse Zvicra është e fortë?

Zvicra është e fortë se e mbrojnë edhe gjermanët, edhe francezët, edhe italianët, edhe një komunitet tepër i vogël që është 0.5% retoroman, mirëpo edhe retoromani me 0.5% e ka të drejtën e gjuhës së vet ta flasë në kantonin e Graubündenit.

Kështu bëhet shteti i fortë, por jo duke u thirrur për çdo ditë se shqiptarët po na marrin shtetin, siç tha Fatoni apo Arbëri.

Cilin shtet marrim ne, ku do ta çojmë?

Tmerruese ishte kur filloi punimet Korridori i 8-të: “Korridori i Shqipërisë së Madhe”.

Një urrejtje patologjike antishqiptare, antishqiptarizëm.

Dhe u themi udhëheqësve të partive politike maqedonase: ore, punoni me popullin tuaj, mbylleni popullin tuaj që Marrëveshja e Ohrit, sa është e mirë për shqiptarët, po aq është e mirë edhe për maqedonasit, bile-bile pak më e mirë është për maqedonasit.

Ore, ua shptuam shtetin, ore…

Po ua kemi çuar shtetin në NATO, ore?

Po jemi në proces për ta çuar në Evropë.

Ne nuk vuajmë, ne s’kemi komplekse, shteti është i përbashkët.

Ne nuk jemi një minoritet i dyndur, i ardhur në këto hapësira, jemi një popull mbi 30%, bashkë me komunitetet e vogla kalohet 40%-shi.

Kështu që, sa më parë ta kuptojnë se rreziku është i madh, bota është në luftë.

Po flitet për përdorim të armëve bërthamore, po armatosen shtete, po hapen uzina të reja, për superarmë për zhdukje në masë, dhe ne këtu po shkojmë e gërvishim në gjëra që janë mbyllur para 25 vjetësh në Marrëveshjen e Ohrit.

Gabim shumë i madh, dhe me këtë kthim pas që bëjnë, nuk ka shqiptar që mendon shqip, e nëna që e ka rritur dhe i ka folur në djep shqip, që pajtohet me gërvishjen, gërryerjen që i bëhet Marrëveshjes së Ohrit, gjuhës, përfaqësimit të drejtë.

Këtu duhet ngritur zëri si shqiptar, si komb duhet të ngrihet zëri, jo vetëm i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Bashkimi Demokratik për Integrim u ka dhënë mundësinë të gjithëve për avancime, për punësime, po të gjitha veprat e punët që i ka bërë.

Flamuri nuk është i Bashkimit Demokratik për Integrim, flamuri kombëtar shqiptar është i shqiptarëve.

Universitetet nuk janë pronë e Bashkimit Demokratik për Integrim, janë pronë e kombit. Përfaqësimi i drejtë i çdo shqiptari – mbi 25,000 shqiptarë që janë punësuar, ata si në administratë, polici e ushtri, janë shërbëtorë të këtij populli, nuk janë të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Ne ua kemi dhënë mundësinë si parti, si UÇK në radhë të parë, sepse kur flitet për Bashkimin Demokratik për Integrim, le ta dinë miq e armiq, është vetë Ushtria Çlirimtare Kombëtare, s’ka fshehtësi këtu.

Dhe pa historikun dhe pa historinë, që të përfshihet në historinë e këtij shteti historia e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ky vend mbetet përsëri pa histori.

Historia më e re e këtij vendi është vetë Ushtria Çlirimtare Kombëtare, s’ka çka i mundon Bashkimi Demokratik për Integrim, që është trashëgimtare e drejtpërdrejtë e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, s’duhet ta mundojë kërkënd, përkundrazi, duhet të jenë mirënjohës.

Ne kemi qenë në shërbim të paqes, stabilitetit, sigurisë së këtij shteti dhe të ardhmes së këtij shteti.

Këtë shtet e kemi futur në NATO sepse drejtpërdrejt ne kemi qenë ura lidhëse mes Greqisë dhe forcave politike në këtë vend, sepse Greqia nuk pranonte me kërkënd tjetër të bisedonte.

Degët dhe qytetet më të mëdha i kanë kryer kuvendet me shumë përkushtim.

Ka të zgjedhur të ri shumë, siç keni bërë edhe ju zgjedhjet, dhe zgjidhje të mira në kuvendin e Tearcës.

Fillo prej udhëheqjes, 83% Bashkimi Demokratik për Integrim ka bërë ndryshim të udhëheqjes, 63% të kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm.

Janë përfshirë djemt më të mirë, pa asnjë përplasje, sepse dy vjet këtë punë e ka udhëhequr vetë kryesia, vetë Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, Shabani që ka qenë anëtar, Agimi, që janë konsultuar të gjithë aktivistët, që janë konsultuar që të dalim sa më të mobilizuar, sa më të organizuar.

Sepse ne nuk kemi kundërshtarë politik, vëllezër e motra… ne kemi armiq politikë sepse ne nuk bëjmë kompromis, nuk e ulim kurrizin përpara oponentëve dhe përpara atyre që duan të bëjnë partneritet me ne.

Ne jemi të hapur, por kompromis me kërkesat të shqiptarëve ne nuk bëjmë!
Nëse e duan të ardhmen, ne jemi këtu.

Partnerë për të ardhmen, partnerë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, partnerë për një republikë më të begatë në ekonomi, shëndetësi, në arsim, infrastrukturë të integruar në BE, krenarë në NATO – partnerë në çdo kohë e kanë Bashkimin Demokratik për Integrim.

Për të gërvishtur Marrëveshjen e Ohrit, për të gërvishtur mbi të kaluarën që ta kthejnë pas, partneritet me ne nuk ka, përveç një rezistence që akoma s’e kanë parë!

Faleminderit shumë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka komentuar protestat që prej…