Kurti hesht, opozita pret

09 korrik 2026 | 08:51

Ndonëse KQZ-ja ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka nisur ende t’u dërgojë ftesa partive politike për takime lidhur me formimin e institucioneve.

Sekretari organizativ i LDK-së, Visar Azemi për RTV21, tha se LDK-ja është e gatshme të takohet me Kurtin për të diskutuar një marrëveshje politike. Sipas tij, Kurti deri më tani nuk ka bërë përpjekje serioze.

“Kosova ka humbur shumë nga bllokadat politike. Qytetarët presin që së shpejti të kemi institucione të reja. Askush nuk ka interes që vendi të hyjë në një cikël të ri bllokadash e më pas të përfundojë në zgjedhje të reja. Por, deri më tash nuk kam parë një përpjekje serioze të zotit Kurti për një marrëveshje politike. Këto përpjekje serioze nuk bëhen vetëm përmes deklaratave publike, por kërkojnë takime dhe dialog të drejtpërdrejtë me partitë politike, oferta konkrete dhe, mbi të gjitha, gatishmëri për kompromis për t’i ndërtuar institucionet. Si parti e parë, ata e kanë përgjegjësinë kryesore për ta ndërtuar shumicën dhe për të krijuar një klimë bashkëpunimi mes partive politike, nëse ka vullnet real për marrëveshje. Këtë vullnet duhet ta shohim me veprime konkrete. LDK-ja gjithmonë është sjellë me përgjegjësi dhe ka pasur në qendër të vëmendjes interesin e vendit, por përgjegjësia nuk nënkupton që të shërbejë si zgjidhje për problemet e të tjerëve. Çdo bisedë serioze duhet të jetë e hapur, e sinqertë dhe e bazuar në një marrëveshje politike që i jep vendit stabilitet, e jo vetëm një zgjidhje të përkohshme për numrat në Kuvend. Për marrëveshje, po. Kjo marrëveshje politike nënkupton stabilitet institucional, e jo vetëm numra për t’i kaluar hapat e parë të konstituimit të Kuvendit.”, tha Azemi.

Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se Kurti nuk ka bërë përpjekje serioze për arritjen e një marrëveshjeje politike për formimin e institucioneve. Sipas deputetes Kadrijaj, AAK-ja kërkon që të merren parasysh gjashtë kërkesat e saj për të siguruar kuorumin për zgjedhjen e presidentit.

“Meqenëse nuk kemi pasur entuziazëm ose nuk kemi pasur ndonjë angazhim, ekziston rreziku që të përsëriten skenarët e herëve të kaluara, sepse ndoshta zoti Kurti do t’i sigurojë 61 vota për qeverinë, por nuk i ka 80 vota për fillimin e procedurës dhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Thashë, këtu duhet të ketë ndonjë marrëveshje politike, qoftë me LDK-në, qoftë me PDK-në, ose do të ketë marrëveshje për një kandidat konsensual. Nëse Lëvizja Vetëvendosje garanton se do të plotësohen gjashtë kushtet që i ka vendosur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ne sigurisht që, meqenëse zoti Gjini i ka prezantuar, do të qëndrojmë në sallë. Në të kundërtën, nëse nuk plotësohen kushtet, nuk kemi arsye të qëndrojmë në sallë.”, tha Kaddrijaj.

Ndërkaq, në PDK kanë thënë se do ta mbajnë mbledhjen e Kryesisë për të marrë një qëndrim lidhur me takimet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për formimin e institucioneve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri në detyrë dhe ministri në detyrë i Punëve të…