Mbyllet Qendra e Paraburgimit në Gjilan, do t’i jepet Danimarkës për të dënuarit e vet
Procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan ka nisur zyrtarisht, në kuadër të zbatimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e këtij institucioni për vuajtjen e dënimeve nga të burgosurit e dënuar nga autoritetet daneze.
Për këtë zhvillim, Oda e Avokatëve të Kosovës ka njoftuar avokatët që të verifikojnë paraprakisht se ku janë transferuar klientët e tyre, në mënyrë që të shmangen vonesat procedurale.
Në një njoftim zyrtar, Oda e Avokatëve ka bërë me dije se është informuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për fillimin e procesit të mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan.
“Sipas njoftimit zyrtar, tashmë ka filluar transferimi gradual i personave të privuar nga liria nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan drejt institucioneve të tjera korrektuese, proces i cili do të zhvillohet në faza, në përputhje me vlerësimet e sigurisë, kapacitetet akomoduese dhe nevojat operative të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, është thënë në njoftim.
Oda u ka bërë thirrje avokatëve që përfaqësojnë persona të privuar nga liria, të cilët deri më tani kanë qenë të vendosur në këtë qendër, që të sigurohen paraprakisht për vendndodhjen e klientëve të tyre.
“Me qëllim të shmangies së vonesave procedurale dhe garantimit të ushtrimit efektiv të mbrojtjes, Oda e Avokatëve të Kosovës i njofton të gjithë avokatët që përfaqësojnë persona të privuar nga liria që deri më tani kanë qenë të vendosur në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, të verifikojnë paraprakisht institucionin korrektues në të cilin ndodhen klientët e tyre, para ndërmarrjes së vizitave apo veprimeve procedurale”, është thënë në njoftim.
Sipas Odës së Avokatëve, ky njoftim synon të informojë në kohë komunitetin e avokatëve dhe të lehtësojë komunikimin me klientët gjatë periudhës së tranzicionit.
Institucioni ka bërë me dije se do të vazhdojë të përcjellë të gjitha njoftimet zyrtare që lidhen me këtë proces dhe do t’i mbajë të informuar avokatët për çdo zhvillim të mëtejshëm.



