ShSKUK-së i bashkohen 17 anesteziologë të rinj, rriten kapacitetet e shërbimeve shëndetësore
Sistemi publik shëndetësor i Kosovës është përforcuar me 17 anesteziologë të rinj, të cilët do t’i bashkohen Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve mjekësore.
ShSKUK-ja ka njoftuar se anesteziologët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në spitalet e përgjithshme ofrojnë shërbime 24 orë në ditë, duke pasur rol të rëndësishëm në ndërhyrjet kirurgjikale, kujdesin intensiv dhe trajtimin e rasteve urgjente.
Sipas njoftimit, angazhimi i 17 specialistëve të rinj pritet të forcojë mbështetjen për sallat operative, njësitë e kujdesit intensiv, repartet emergjente dhe shërbimet e tjera spitalore në kuadër të ShSKUK-së.
Ky përforcim i stafit mjekësor synon të ndikojë në rritjen e efikasitetit të trajtimit të pacientëve dhe në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore në institucionet publike të Kosovës.



