Daçiqi eskalon pas pyetjes së gazetarit bullgar, përmend njohjen e Kosovës nga Bullgaria: Unë kam lindur atje, edhe mbreti Millutin
Ish-kreu i diplomacisë serbe, tashmë ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, ka shpërthyer në një konferencë për media në Bullgari pas një pyetjeje që i është bërë nga një gazetar bullgar lidhur me akuzat e Parlamentit Evropian ndaj Serbisë se Beogradi zyrtar po përpiqet të cenojë integritetin e vendeve të tjera.
“Z. Daçiq, më lejoni një pyetje, meqenëse nuk e dimë se kur do të jeni përsëri në Bullgari. Ju flisni për miqësi, për bashkëpunim dypalësh, i cili është i shkëlqyer dhe duhet të jetë. Megjithatë, Parlamenti Evropian ju akuzon se po përpiqeni të shkatërroni integritetin e vendeve të tjera. A mund të na tregoni se cila është fytyra e vërtetë e politikës serbe?”, ka pyetur gazetari bullgar.
Daçiqi është përgjigjur me nervozizëm, duke përmendur faktin se Bullgaria e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Politikani serb ka deklaruar më tej se ka lindur në Kosovë, ndërsa ka pretenduar se edhe mbreti Millutin është nga Kosova.
“Si nuk është turp që dikush të flasë për atë se kush e shkeli integritetin territorial të Serbisë, duke e njohur Kosovën si shtet të pavarur? Epo, unë kam lindur në Kosovë, kryeqyteti i parë i Serbisë ishte në Kosovë, në Prizren. Mbreti Milutin, i cili prehet në Sofje, është gjithashtu nga Kosova”, është shprehur Daçiqi, raporton “Blic”.
Daçiqi ka përmendur edhe Parlamentin Evropian, duke deklaruar se ai institucion duhet të miratojë një rezolutë “që dënon njohjen e Kosovës” dhe më pas t’u japë mësime të tjerëve.
“Sa i përket Parlamentit Evropian, nëse qëllimi i Bashkimit Evropian është të shkelë integritetin territorial të Serbisë dhe nëse ky është një kusht, ata së pari duhet të miratojnë një rezolutë që dënon njohjen e Kosovës, e më pas t’u japin mësime të tjerëve”, ka deklaruar ai.



