Kriza e karburantit godet Rusinë, qytetarët presin me ditë në radhë, disa po kthehen te kuajt dhe biçikletat
Shoferët në Rusi po presin me orë të tëra, ndërsa në disa rajone edhe me ditë, për të furnizuar automjetet e tyre me karburant. Në kërkim të pompave që ende funksionojnë, qytetarët përshkojnë qytete të tëra, kalojnë netët në automjete dhe presin me durim derisa t’u vijë radha. Në shumë raste, pritjet e gjata kanë sjellë edhe konflikte mes njerëzve në radhë.
Gjatë muajve të fundit, Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë ndaj rafinerive ruse të naftës. Më 6 korrik, forcat ukrainase goditën rafinerinë në Omsk, rreth 2.500 kilometra larg kufirit me Ukrainën. Me këtë sulm, Kievi pretendon se ka goditur të dhjetë rafineritë më të mëdha ruse – nga rajoni i Leningradit deri në Omsk. Këto sulme kanë thelluar më tej krizën e karburantit në shumë rajone të Rusisë.
Rusët po kalojnë në mjete të tjera transporti
Banorë të shumë rajoneve ruse raportojnë se pompat e karburantit janë mbyllur ose kanë mbetur pa rezerva, ndërsa para atyre që ende furnizojnë janë krijuar kolona kilometrike.
Një banore nga Gelendzhiku tha se prej tre ditësh po përpiqet pa sukses të furnizohet me benzinë. Ajo kishte mbërritur në pompë që në orën pesë të mëngjesit dhe kishte kaluar natën në makinë, por sërish nuk arriti të mbushte rezervuarin.
“Është fjalë për fjalë një luftë për mbijetesë”, tha ajo.
Sipas saj, problemi nuk është vetëm mungesa e karburantit, por edhe rishitësit që blejnë sasi të mëdha dhe më pas i shesin me çmime shumë më të larta.
Situata më e rëndë raportohet në qytetin Çita, në rajonin e Zabajkaljes, ku sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, shoferët presin deri në 36 orë. Disa mbeten pa karburant gjatë pritjes dhe detyrohen t’i shtyjnë automjetet. Në internet qarkullojnë pretendime se vende në radhë shiten deri në 35.000 rubla, rreth 400 euro.
Për shkak të mungesës së karburantit, shumë rusë po ndryshojnë zakonet e përditshme. Disa organizohen për të bërë bashkë blerjet ose për të dërguar fëmijët në shkollë, ndërsa të tjerë po përdorin transportin publik.
Një banore nga Irkutsku tha se, pas disa përpjekjeve të pasuksesshme për të furnizuar makinën, ka filluar të përdorë autobusët dhe taksitë. Megjithatë, edhe sektori i taksive është prekur nga kriza. Sipas gazetës “Kommersant”, taksistët punojnë më rrallë dhe refuzojnë udhëtimet e gjata, duke sjellë rritje të çmimeve.
Në zonat rurale, gjithnjë e më shumë banorë po blejnë kuaj në vend të makinave. Kanali në Telegram “Mash”, duke cituar mbarështuesit, raportoi se kërkesa për kuaj është rritur ndjeshëm javët e fundit. Ata përdoren për punë në pyje, kositje bari dhe aktivitete bujqësore.
Është rritur ndjeshëm edhe shitja e biçikletave. Kompania CDEK.Shopping njoftoi se në qershor shitja e biçikletave ishte 131 për qind më e lartë se në maj, ndërsa qarkullimi u rrit me 263 për qind. Biçikletat po shihen gjithnjë e më shumë si alternativë praktike ndaj automobilëve.
Çfarë thonë autoritetet?
“Urra! Tani zyrtarisht jam këmbësore”, shkroi një banore e Krasnodarit, duke thënë se nuk kishte mundur të furnizohej me karburant pasi pompa lokale shiste vetëm për “automjete speciale”, ku përfshihen edhe automjetet e zyrtarëve shtetërorë.
Sipas portalit rus “7×7”, gazetarët kanë identifikuar të paktën katër rajone ku karburanti ishte i disponueshëm vetëm për personat me dokumente zyrtare. Kjo ka nxitur debat të ashpër në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë akuzojnë autoritetet se po minimizojnë problemin.
Deputetja e Dumës Shtetërore, Nina Ostanina, kritikoi heshtjen e ministrave në një kohë kur pothuajse një e treta e rafinerive ruse nuk janë funksionale.
“Pse hesht ministri i Bujqësisë dhe zëvendëskryeministri përgjegjës, kur vendi është në prag të korrjes? Rusia mund të mbetet pa grurë, gjë që nën sanksionet ndërkombëtare do të ishte e barabartë me një dënim me vdekje”, shkroi ajo në Telegram.
Megjithatë, autoritetet federale mohojnë se ekziston një mungesë sistematike e karburantit. Sipas tyre, problemi është shkaktuar nga blerjet paniku dhe spekulantët. Zëvendëskryeministri Aleksandër Novak deklaroi se mungesat janë të kufizuara vetëm në disa pika karburanti dhe se kërkesa në nivel kombëtar është rritur me 20 deri në 30 për qind.
“Karburant ka mjaftueshëm, duhet vetëm të riorganizohet logjistika”, tha Novak.
Edhe autoritetet rajonale ndajnë të njëjtin qëndrim, duke akuzuar tregtarët se po përhapin panik.
“Njerëzit kanë frikë se nuk do të mund të lëvizin normalisht, të shkojnë në punë apo të kujdesen për fëmijët. Taksistët dhe bizneset e vogla po krijojnë rezerva për të shmangur humbjet, ndërsa fermerët druhen se mungesa e karburantit do të dëmtojë korrjet. Kjo e rrit edhe më shumë kërkesën”, tha guvernatori i rajonit të Pskovit, Mihail Vedernikov.
Bie besimi ndaj Putinit
Problemet me karburantin kanë ndikuar edhe në rënien e besimit ndaj presidentit rus, Vladimir Putin. Sipas një ankete të Fondacionit për Opinionin Publik (FOM), të zhvilluar nga 19 deri më 21 qershor, besimi ndaj Putinit ra nga 74 në 69 për qind brenda vetëm një jave – niveli më i ulët që nga fillimi i luftës së plotë kundër Ukrainës.
Në të njëjtën kohë, është rritur shqetësimi i qytetarëve për gjendjen ekonomike, sidomos për rritjen e çmimeve dhe kostos së jetesës. Megjithatë, kjo nuk nënkupton fundin e luftës. Sipas një ankete të Qendrës “Levada”, të publikuar në qershor, mbështetja për operacionin ushtarak madje është rritur.
Aktualisht, 30 për qind e të anketuarve e mbështesin operacionin ushtarak, gjashtë pikë përqindjeje më shumë krahasuar me marsin e vitit 2026.
Ndërkohë, 60 për qind e qytetarëve mendojnë se Rusia duhet të nisë negociata për paqe, por kjo përqindje është shtatë pikë më e ulët krahasuar me shkurtin e vitit 2025. Sipas sociologëve, një rënie e ngjashme e mbështetjes për negociatat e paqes ishte regjistruar për herë të fundit në fund të vitit 2023 dhe në fillim të vitit 2024.



