Hajdutët “avullojnë” shishe vere në vlerë 5 milionë euro
Hajdutët kanë vjedhur 30,000 shishe vere me një vlerë totale prej rreth 5 milionë eurosh nga një kantinë prestigjioze italiane, sipas raportimeve të mediave italiane.
“Marchesi Antinori”, një nga kantinat më të mëdha familjare në Itali, deklaroi se vjedhja në magazinën e saj në Toskanë ndodhi të shtunën, ndërsa kompania po përgatitej të dërgonte një ngarkesë te klientët jashtë vendit.
Renzo Cotarella, drejtori ekzekutiv, i tha gazetës “Corriere della Sera” se kjo ishte vjedhja më e madhe e këtij lloji në Itali.
“Një vjedhje e këtyre përmasave dhe vlerës nuk ka ndodhur kurrë më parë në Itali“, tha ai.
Ai shtoi se shpresonte që autoritetet të mund ta gjurmonin verën e vjedhur.
“Dy kamionë plot me mall nuk mund të zhduken thjesht në ajër. Rrugët e Toskanës janë plot me kamera; ndoshta me pak fat do të mund të rikuperojmë të paktën disa nga shishet që na janë vjedhur“.
Kompania beson se përzgjedhja e shisheve – të cilat zakonisht shiten me çmime që variojnë nga 150 deri në 500 euro secila – lë të kuptohet se hajdutët ishin njohës të verës dhe kishin informacione të brendshme.
Sipas BBC, këtë vit në Itali ka pasur një valë vjedhjesh vere, përfshirë dy raste në rajonin verior të Piemontes, ku raportohet se janë vjedhur shishe me vlerë qindra mijëra euro.



