Dhjetëra persona humbin jetën nga zjarri në një lokal në Bangkok
Së paku 27 persona humbën jetën nga një zjarr që përfshiu një lokal nate në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok, tha të hënën kryeministri Anutin Charnvirakul, pasi vizitoi vendin e ngjarjes.
Zjarri shpërtheu të dielën vonë në lokalin Rong Beer Na Ladprao, në distriktin verior Ladprao të Bangkokut.
Sipas gazetës Bangkok Post, 63 persona u lënduan – prej tyre 22 në gjendje të rëndë.
Pamjet televizive treguan flakët duke përfshirë lokalin, ndërsa zjarrfikësit arritën t’i vinin nën kontroll pas rreth 45 minutash.
Shkaku i zjarrit nuk dihet ende.
Guvernatori i Bangkokut, Chadchart Sittipunt, tha se hetuesit po shqyrtojnë nëse daljet emergjente kanë qenë të bllokuara dhe nëse lokali i kishte përmbushur standardet e sigurisë kundër zjarrit.
Sipas tij, zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të materialeve të përdorura në tavan dhe dekor.
Besohet se edhe tymi toksik ndikoi në numrin e lartë të viktimave.
Të lënduarit u dërguan në 16 spitale në Bangkok.
Transmetuesi publik Thai PBS, duke cituar ekipet e shpëtimit, raportoi se numri i viktimave kishte arritur në së paku 30.
Autoritetet identifikuan deri në atë kohë 17 gra dhe tetë burra.
Lokali ndodhet pranë Tregut Chatuchak, një nga atraksionet më të njohura turistike në Bangkok. Ende nuk dihet nëse mes viktimave ka shtetas të huaj.
Policia e rrethoi zonën dhe nisi hetime për të zbuluar shkakun e zjarrit.
Familjeve të viktimave iu kërkua të kontaktojnë autoritetet dhe të japin mostra të ADN-së për të ndihmuar në identifikimin e tyre.



