Në konakun e mjeshtrit Sadri Sokoli, Hisen Berisha: Këtu druri merr shpirt dhe eposi bëhet zë
Ish-deputeti dhe gjenerali Hisen Berisha ka ndarë një përjetim nga vizita në konakun e mjeshtrit të njohur Sadri Sokoli, duke e cilësuar atë si një vatër të gjallë të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Berisha ka vlerësuar lart mjeshtrin nga Dragobia e Tropojës, me vendbanim në Tiranë, për kontributin e tij në ndërtimin e veglave tradicionale muzikore, si sharkia, çiftelia, violina dhe instrumente të tjera, si dhe për njohuritë e tij në akordimin dhe interpretimin e muzikës tradicionale shqiptare.
Sipas tij, Sadri Sokoli, pasardhës i familjes së Artistes së Popullit Fatime Sokoli, nuk është vetëm mjeshtër i ndërtimit të instrumenteve, por edhe interpretues i kultivuar i këngës epike shqiptare, duke e sjellë eposin me autenticitet dhe emocion.
Berisha tha se vizita në konakun e Sokolit ishte një mbrëmje ku arti, historia dhe tradita u bashkuan, ndërsa theksoi se njerëz si ai janë “rojet e heshtura të trashëgimisë sonë”, që ruajnë identitetin kombëtar dhe ndërtojnë ura mes brezave.
Postimi i plotë i tij:
Në konakun e mjeshtrit Sadri Sokoli, aty ku druri merr shpirt dhe eposi bëhet zë
Ka vende ku nuk hyn thjesht si mysafir, por si pelegrin i kujtesës kombëtare.
I tillë është konaku i mjeshtrit Sadri Sokoli, nga Dragobia e Tropojës, me vendbanim në Tiranë, një vatër ku ruhen, ndërtohen dhe ringjallen thesaret më të çmuara të kulturës sonë muzikore.
Sadriu vjen nga soji i Fatime Sokolit, Artistes së Popullit dhe Artistes së Merituar të kombit shqiptar, duke dëshmuar se talenti, përkushtimi dhe dashuria për artin janë trashëgimi e një kodi të rrallë familjar.
Ai është mjeshtër i ndërtimit të veglave tona tradicionale, sharkisë, çiftelisë e violines, si dhe instrumenteve të tjera muzikore, por edhe ekspert i notave muzikore dhe i akordimit të tyre në instrumente, duke i kthyer në zë e tinguj autentik.
Por vlera e tij nuk ndalet te mjeshtëria e duarve, veshi i muzikës e kreativiteti i mendjes.
Sadriu është edhe një interpretues me zë të kultivuar dhe të shkolluar, që këngën epike shqiptare e sjell me finesë artistike, autenticitet dhe emocion të thellë.
Në interpretimin e tij, eposi nuk këndohet thjesht por ai jetohet.
Çdo varg, çdo melodi dhe çdo tingull të rikthen te rrënjët e identitetit tonë, te lahutarët, rapsodët dhe trimëria e malësive shqiptare.
Sonte pata mirësinë të jem pjesë e mikpritjes së tij, në një mbrëmje ku arti, historia dhe tradita u bënë një. Ishte një udhëtim shpirtëror në universin e muzikës sonë kombëtare, ku çdo instrument i varur në mure dhe çdo këngë e interpretuar fliste për kujtesën, dinjitetin dhe vazhdimësinë e kulturës shqiptare.
Në një kohë kur globalizimi shpesh rrezikon të zbehë identitetet kombëtare, njerëz si Sadri Sokoli janë rojet e heshtura të trashëgimisë sonë.
Ata nuk ndërtojnë vetëm vegla muzikore, ata ndërtojnë ura mes brezave, ruajnë kujtesën historike dhe mbajnë gjallë shpirtin e kombit.
Mirënjohje për mikpritjen fisnike, për artin e madh dhe për përkushtimin e palodhur në shërbim të kulturës shqiptare. Konaku i Sadri Sokolit mbetet një tempull i gjallë i traditës sonë, ku çdo shqiptar duhet të ndalet jo vetëm për të blerë veglat muzikore, per edhe për të dëgjuar jo vetëm tingujt e instrumenteve, por edhe zërin e historisë sonë.



