Në vend të përkujtimit: Adrian Rexhep Krasniqi (12.10.1972 – 16.10.1997)

16 tetor 2026 | 20:37

Shkruan: Bekim Vishaj, Deçan

Adrian Krasniqi u lind dhe u rrit në familjen e Sylërexhëve në Vranoc të Pejës, familje kjo e cila brez pas brezi e lau me gjak këtë truall për të mbrojtur lirinë e tij. I kësaj familje ishte Adriani, i biri i mësuesit patriot Rexhep Krasniqit.
Adriani, mësimet e para i mori në shkollën fillore në Baran, ndërsa ato të mesme në Gjimnazin në Pejë. Studimet i vijoi në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, dhe pastaj në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës.
Adriani, nuk mund të rrinte i qetë kur atdheu rënkonte nën thundrën sllave, nuk mund të rrinte duarkryq kur shkelej, fyhej e poshtërohej nderi i vatrës shqiptare.
Si nxënës i shkollës së mesme, mori pjesë në demonstratat gjithë popullore që u organizuan në Pejë në mars të vitit 1989. Adriani ishte shquar në ballë të demonstruesve.
Prandaj, që në vitin 1993 la mënjane dhjetëshet e fakultetit dhe e filloi aktivitetin e tij si ushtar besnik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndër të parët në Dukagjin e në Kosovë.
Bashkëvepronte ngushtë me dëshmorët e lirisë: Adem Jasharin, Luan Haradinajn, Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun, Edmond Hoxhën, llir Konushevcin – “Mërgimin” e shumë shokë të tjerë që ranë në krye të detyrës me armë në dorë për lirinë e Kosovës.
UDB i kishte rënë në gjurmë Adrianit, e ashtuquajtura Gjykatë e Qarkut në Prishtinë Adrian Krasniqin e kishte akuzuar si pjesëtar të UÇK-së dhe që nga janari i vitit 1997 u detyrua të kalojë në ilegalitet të thellë. Për asnjë moment nuk u ndal nga rruga e tij drejtë lirisë. I papërsëritshëm në organizimin e logjistikës, dhe sulmeve ndaj stacioneve të policisë serbe, trim i rrallë dhe organizator i pashoq.
Adrian Krasniqi ishte njëri ndër themeluesit dhe udhëheqësit e hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe organizatorët kryesorë të strukturave të saj të logjistikës, udhëhiqte njësitet speciale të logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Adriani, e kishte të pamundur ta ndante veten edhe nga pjesëmarrja aktive në aksionet luftarake”.
Adrian Krasniqi, sa herë që hynte në Kosovë nga Shqipëria kur sillte armatim në baza të caktuara, kurrë nuk kthehej pa kryer ndonjë aksion. Kështu ndodhi edhe në muajin tetor 1997, kur pas hyrjes në Kosovës me një sasi të konsiderueshme armësh, me kërkesën e Adrianit bëhet sulmi në postën e policisë në fshatin Kliçinë të Pejës, ku dhe bie heroikisht në fushë të nderit
Së bashku me Qerim Kelmendin, Ilir Konushevcin ishin në Drenicë, ku kishin dërguar teknikë me material ushtarak, vendosën të sulmonin në stacionin e policisë në Kliçinë, gjatë planifikimit për sulmin, Mujë Krasniqi u ka thënë se “pasi po niseni nga vendi im për të kryer këtë aksion, do të vij edhe unë me ju.” Stacioni është sulmuar po atë natë, grupi përbëhej nga Adrian Krasniqi, Ilir Konushevci, Mujë Krasniqi dhe Qerim Kelmendi, gjatë aksionit në Kliçinë policisë serbe i shkaktuan humbje të mëdha.
Adriani, ra me armë në dorë, më 16 tetor 1997, gjatë sulmit kundër postës së policisë pushtuese serbe në Stacionin e policisë në Kliçinë.
Ishte ushtari i parë që ra me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte betuar se deri në fund do të luftonte për çlirimin e Kosovës. Rrugën e tij do e ndjekin mijëra vëllezër shqiptarë në ballë me UÇK-në, të cilët betohen në gjakun e derdhur të dëshmorëve dhe në lirinë e nëpërkëmbur se deri në pikën e fundit të gjakut nuk do të kursejnë asgjë për lirinë e atdheut.
Në kohën e luftës frontale në Dukagjin, shtëpia e Adrian Krasniqit në Vranoc bëhet spital ushtarak, ndërsa familja Krasniqi, ashtu sikurse edhe shumë familje të tjera liridashëse, u vunë në shërbim të gjithanshëm të luftës për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe.
Hero Adrian Krasniqi, pas rënies heroike do të përjetësohet.
-Gjatë luftës Çlirimtare (1998-1999) Brigada 133 e UÇK-së në ZOD-it, mbante emrin e heroit Adrian Krasniqi.
-Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adrianin e ka graduar, pas rënies, me gradën ushtarake gjeneralkolonel.
-Me rastin e 12 vjetorit të rënies heroike të Adrian Krasniqit, në Pejë është ngrit shtatorja e skalitur në bronz.
-Më 16 tetor 2011, në 14-vjetorin e rënies së tij heroike, Adrian Rexhep Krasniqi është shpallur zyrtarisht “Hero i Kosovës” me urdhër të dekoruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Me emrin e Adrianit janë emërtuar sheshe e rrugë të ndryshme në Kosovë, janë shkruar e kënduar shumë këngë e poezi. Adriani dhe shokët e tij dëshmorë jetojnë pavdekësisht me Lirinë e Kosovës.
LAVDI “HERO I KOSOVËS” ADRIAN (REXHEP) KRASNIQI!

Literatura e shfrytëzuar:
1. Bardh Hamzaj, Rrëfimi për luftën dhe lirinë (dialog me komandantin Ramush Haradinaj), Prishtinë, 2001.
2. Faton Mehmetaj: “Adrian Krasniqi – Rexha (Një jetë e një vdekje për atdhe, botues “Zgjimi”, 2001.
3. Fetnete Ramosaj, UÇK-ja në Zonën Operative të Dukagjinit (Dokumente e raportime të luftës 1998-1999), Prishtinë, 2019.
4. Hasan Hasani, Të pavdekshmit e Dukagjinit – Dëshmorët e UÇK- së ZOD, Trupat Mbrojtës të Kosovës Zona e Tretë, Pejë, 2002.
5. Adrian Rexhep Krasniqi (12.10.1972 – 16.10.1997), https://www.radiokosovaelire.com, 16.2022.
6. Adrian Krasniqi, pushka e UҪK-së, në 23 vjetorin e rënies, https://www.drini.us, 6.10.2021.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Gjeneral Kudusi Lama ka deklaruar se Gjykata Speciale nuk duhet…