Enver Hoxhaj: Kosova duhet të reflektojë për rrugën e saj drejt BE-së
Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas avancimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi në procesin e integrimit evropian, duke vlerësuar se këto zhvillime duhet të shërbejnë si një thirrje për reflektim për Kosovën.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxhaj uroi Shqipërinë për avancimin në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe Malin e Zi për mbylljen e edhe dy kapitujve në rrugën e tij drejt anëtarësimit.
“Sot është një ditë e rëndësishme për Ballkanin. Shqipëria po avancon në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, ndërsa Mali i Zi po mbyll edhe dy kapituj të tjerë në rrugën e tij drejt anëtarësimit. Urime të dy shteteve për këtë sukses dhe për vizionin evropian që po e shndërrojnë në realitet”, ka shkruar ai.
Hoxhaj ka theksuar se Kosova duhet të reflektojë mbi pozicionin e saj në raport me procesin e integrimit evropian, duke rikujtuar se deri para shtatë vitesh vendi kishte një perspektivë më të besueshme dhe mbështetje më të madhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Postimi i plotë i tij:
Sot është një ditë e rëndësishme për Ballkanin. Shqipëria po avancon në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, ndërsa Mali i Zi po mbyll edhe dy kapituj të tjerë në rrugën e tij drejt anëtarësimit. Urime të dy shteteve për këtë sukses dhe për vizionin evropian që po e shndërrojnë në realitet.
Për Kosovën, kjo duhet të jetë një thirrje për reflektim. Deri para 7 vitesh, vendi ynë kishte një perspektivë shumë më të besueshme evropiane dhe gëzonte një mbështetje më të madhe nga partnerët tanë. Ndërkaq, qe 3 vjet Kosova pret që statusin e vendit kandidat ta shqyrtojë dikush, por ai ka mbetur në sirtarët e Bashkimit Evropian dhe askush nuk po merret me të.
Sot, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi po afrohen çdo ditë e më shumë me Bashkimin Evropian, Kosova rrezikon të mbetet e fundit në rajon në rrugën drejt anëtarësimit.
Kosova meriton ta rikthejë vendin e saj në agjendën evropiane dhe të ecë përpara me besueshmëri e vizion.



