Konflikti tek “Erta Invest”, të dyshuar për rrahjen brutale të viktimës ish-zëvendësministri Mustafa Grainca dhe dhëndri i tij
Një 38 vjeçar ka marrë lëndime të rënda trupore në një konflikt fizik pas një mosmarrëveshje për një banesë në Prishtinë. Viktima është i moshës 38 vjeçare kurse të dyshuarit, siç raportoi Sinjali, janë Mustafa Grainca dhe Bunjamin Ramuka, ndërsa ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në zyrat e kompanisë “Erta Invest”. Mustafa Grainca ka në pronësi 50 për qind të aksioneve të “Erta Invest”, sipas të dhënave në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Mustafa Grainca ka qenë zëvendësministër i Financave në Qeverinë e Kosovës nga radhët e PDK-së në vitet 2017-2019, si dhe kandidat për deputet nga kjo parti.

Bunjamin Ramuka është dhëndër i ish-zëvendësministrit Grainca. Viktima ka deklaruar para hetuesve se kishte shkuar në zyrat e kompanisë për të zgjidhur një mosmarrëveshje lidhur me një banesë, por pas një debati verbal situata ka dalë jashtë kontrollit. Ai pretendon se dy të dyshuarit e kanë zvarritur, e kanë sulmuar fizikisht dhe më pas e kanë lënë pa ndjenja në një kanal. 38-vjeçari është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku, sipas raportit mjekësor, ka pësuar thyerje të hundës, lëndim që e kualifikon rastin si “Lëndim i rëndë trupor”. Mediumi raporton më tej me burime se të dyshuarit janë shoqëruar në Polici dhe janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.




